4 shtator 2004, dita kur Kombëtarja shqiptare mposhti Greqinë kampion Europe
Para një ndeshjeje të rëndësishme si kjo me Hungarinë dhe pas një humbjeje dërrmuese si ajo me Poloninë, Shqipërisë i duhet një shembull frymëzimi për t’u ringritur dhe për t’ia dalë mbanë! Dhe si sot, më 4 shtator të vitit 2004 kuqezinjtë kanë mundur Greqinë kampione Europe! Më frymëzuese se kaq nuk mund të ketë!…

Para një ndeshjeje të rëndësishme si kjo me Hungarinë dhe pas një humbjeje dërrmuese si ajo me Poloninë, Shqipërisë i duhet një shembull frymëzimi për t’u ringritur dhe për t’ia dalë mbanë!
Dhe si sot, më 4 shtator të vitit 2004 kuqezinjtë kanë mundur Greqinë kampione Europe! Më frymëzuese se kaq nuk mund të ketë! Në stadiumin “Qemal Stafa” kombëtarja helene vinte me petkun e Kampiones së Europës, teksa kombëtarja shqiptare e drejtuar nga Hans Peter Brigel e mposhti me rezultatin 2-1, falë një perle të Adrian Aliajt nga një goditje e magjishme nga goditja e dënimit dhe nga goli i Muratit, ndërsa për grekët realizoi Janakopulos.
Stadiumi atë natë 4 shtatori u bë “zjarr” nga brohorimat, këngët dhe koret e tifozëve shqiptar për Kombëtaren pas një triumfi historik dhe heroik ndaj kampionëve të Europës që u “gjunjëzuan” që në takimin e tyre të parë pasi triumfuan në Portugali ndaj këtyre të fundit në finalen e EURO 2004.
Festa nuk do të mbaronte me kaq, të gjithë rrugët e kryeqytetit, më ekzaktësisht më shumë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rruga e stadiumit “Qemal Stafa”, gjithashtu edhe sheshi i qendrës së Tiranës në sheshin “Skënderbej”, ku pamjet do të ruhen thellë në memorien e çdo shqiptari, sidomos të atyre që e përjetuan në stadiumin e tej mbushur të gjithë kuqezi.