14 federata mbështesin Çeferin për një mandat të ri në krye të UEFA-s

Krerët e Federatave të Futbollit të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, BeH, Kroacisë, Qipros, Malit të Zi, Rumanisë, Rusisë, Serbisë, Sllovenisë dhe Turqisë kanë mbështetur presidentin aktual të UEFA-s

Në Bukuresht dje është mbajtur takimi i krerëve të 14 Federateve të Futbollit të Evropës Juglindore, ku publikisht mbështetën Aleksandar Çeferin për një mandat të ri për President të Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA), raporton Anadolu Agency (AA).

Krerët e Federatave të Futbollit të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Bosnje Hercegovinës, Kroacisë, Qipros, Malit të Zi, Rumanisë, Rusisë, Serbisë, Sllovenisë dhe Turqisë kanë mbështetur presidentin aktual të UEFA-s në zgjedhjet që do të mbahen në Kongresin e radhës në Romë më 7 shkurt 2019, thuhet në deklaratën e nënshkruar gjatë takimit në Bukuresht.

“Pjesëmarrësit diskutuan edhe për propozimin e garës së mundshme rajonale për kategorinë e të rinjve, e cila në periudhën e ardhshme duhet të shqyrtohet më detajisht. Të gjitha federatat kanë përkrahur paraprakisht konceptin sipas sistemit të turneut të garave, që ishte propozim i FF të Rumanisë, kurse FF e Turqisë shprehu gatishmërinë të jetë pritësi i parë i një turneu të tillë”, bën të ditur FF e BeH-së.

Përfaqësuesi i UEFA-s, Noel Mooney, prezantoi mënyrën se si përmes implementimit të programit GROW të UEFA-s mund të rritet numri i të rinjve të involvuar në aktivitete të futbollit, me reflektime të mëtejshme pozitive mbi imazhin e federatës dhe kthimin e fondeve të investuara. Më tej theksohet se për realizimin e programit në fjalë janë shumë të rëndësishme mirëkuptimi dhe mbështetja e organeve shtetërore, si dhe legjislacioni përkatës.

Në fund të takimit, përfaqësuesit e Federatës Turke informuan pjesëmarrësit e tjerë lidhur me të gjitha aspektet e kandidimit për organizimin e Kampionatit Evropian 2024.