Dëshmia e Bashës për “Toyota Yaris”, kreu i PD-së nuk ua tregoi belgëve burimin e denoncimit

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha nuk u ka treguar prokurorëve belg se ku e gjeti informacionin mbi të cilin bëri denoncimin për milionat që u bllokuan në portin e Durrësit në skandalin e njohur me emrin “Toyota Yaris”.

Detaje të reja zbardhen nga dëshmia e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili u pyet nga prokurorët belg  në cilësinë e personit i cili denoncoi, i pari për gati 3.4 milionë euro të bllokuara më pas në portin e Durrësit.

Basha është pyetur se kush ia dha këtë informacion? Por ai është përgjigjur se qytetarët informojnë Partine Demokratike për çështje të ndryshme, njëra ndër të cilat është edhe informacioni për shumën e konsiderueshme të valutës. Por ky informacion është përcjellë pranë selisë së demokratëve përmes një letre si edhe shumë letra të tjera, ka këmbëngulur Lulzim Basha.

Më tej, i pyetur nëse për këtë proces informimi disponon apo jo PD-ja një protokoll të veçantë, kryedemokrati është përgjigjur mohues. Kjo deklarate e disponuar nga belgët u dha pranë prokurorisë së posaçme SPAK në prani të përfaqësuesve hetimorë të Belgjikës që po vijon hetimet për persona të dyshuar në dosjen e pagëzuar si “Toyota Yaris”.

Për këtë çështje, Shqipëria dënoi dy persona për armëmbajtje dhe mos deklarim të të ardhurave në kufi, kurse për katër të tjerë, çështja u mbyll pa rezultat. Lulzim Basha është pyetur edhe herë tjetër nga belgët për këtë çështje, por në asnjërin nga rastet, ai nuk e ka treguar burimin.