Rekurset e panevojshme/ Rama nxjerrë udhëzimin që detyron Avokaturën e Shtetit të tërhiqet

Kritikave të Gjykatës së Lartë për rekurset e institucioneve publike, qeveria i është përgjigjur me anë të një projektudhëzimi, që detyron Avokaturën e Shtetit të tërhiqet. Në udhëzimin e nxjerrë nga kryeministri Rama kërkohet që institucionet, të heqin dorë nga rekurset për çështje me natyrë civile dhe administrative.

Ka qenë zëvendës kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ai që vuri theksin fillimisht te numri i lartë i çështjeve të prapambetura që presin për t’u gjykuar, duke paralajmëruar se ky institucion rrezikohet nga krijimi i një stoku të ri dosjesh për shkak të depozitimit të shumë rekurseve të pabazuara nga avokatët dhe institucionet publike.

Nisur nga ky problem, kryeministri Rama i kërkon ministrive dhe institucioneve në varësi të marrin masat e nevojshme për të hequr dorë nga rekurset e paraqitura nga përfaqësuesit e tyre ligjor.

Për ankimimet e vendimeve të Gjykatave të Apelit dhe Gjykatës Administrative të Apelit për çështje me natyrë civile dhe administrative, rekurse që Avokatura e Shtetit duhet t’i rishikojë kanë të bëjnë kryesisht për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që lindin nga marrëdhëniet e punës, shpërblimin për dëmet pasurore apo jo pasurore, kontraktore ose jashtëkontraktore për personat fizik apo juridik, privat, vendas apo të huaj kur vlera e padisë është më e vogël se 40-fishi i pagës minimale në shkallë vendi.

“Korrigjimi, ndryshimi, shfuqizimi anulimi apo konstatimi i pavlefshmërisë absolute të aktit administrativ, i nxjerrë nga organi publik, kur plotësohet një nga këto kushte: Këto kërkime nuk janë të shoqëruara me kërkimin për shpërblimin e dëmit, apo për shlyrjen e detyrimeve të tjera financiare, si dhe nuk dëmtojnë interesat pasurore të shtetit; ose kërkimi për shpërblimin e dëmit, për shlyrjen e detyrimeve të tjera financiare, apo dëmtimi i interesave pasurore të shtetit është në vlerë më të vogël se dyzetfishi i pagës minimale në shkallë vendi”.

Po ashtu, në udhëzim specifikohen edhe rastet kur institucionet publike mund të tërhiqen nga rekurset të cilat janë të depozitura në gjykatën supreme, por që ende nuk janë shqyrtuar vendime kur është vendosur lënia në fuqi e gjykatës së shkallës së parë për rrëzimin e padisë që rezultojnë të kenë mbetur pa objekt për shkak të shuarjes apo të ndryshimit të rrethanave të çështjes. Padi, pavarësisht llojit të kërkimeve dhe vlerës së tyre, detyrime të cilat janë ekzekutuar plotësisht me kusht që Gjykata e Lartë të mos ketë vendosur pezullimin e ekzekutimit të vendimit të formës së prerë dhe që njëkohësisht të jetë prezente të paktën një nga këto rrethana:

-kur çështja është humbur nga organi publik në të dy shkallët e para të gjykimit

-çështja vlerësohet si e pafitueshme nisur nga vendimet unifikuese/njësuese të kolegjeve të bashkuara ose të kolegjeve të veçanta.

Në vitin që lamë pas Gjykata e Lartë shqyrtoi mbi tre mijë dosje, ndërsa stoku është mbi 35 mijë që presin një vendim. Kolegji Administrativ po vuan mungesën më të madhe për dhënien e vendimeve për shkak të mungesës së trupës gjykuese.