Rrëzohet helikopteri ushtarak, humbin jetën 14 persona

Katërmbëdhjetë persona humbën jetën sot kur një helikopter ushtarak u rrëzua në Azerbajxhanin lindor. Lajmin e kanë bërë të ditur rojet kufitare të këtij vendi, që kishin në pronësi helikopterin.

Helikopteri u rrëzua sot rreth orës 10:40 me orën lokale (08:40 me orën shqiptare) në aeroportin Garaeibat në rajonin Hizi të Azerbajxhanit gjatë një fluturimi stërvitor.

“Katërmbëdhjetë persona u vranë dhe dy të tjerë u plagosën”, tha roja kufitare në një deklaratë, duke shtuar se të gjithë viktimat ishin ushtarë. Sipas të njëjtit burim, ka nisur hetimi për të përcaktuar shkakun e rrëzimit.

Incidenti vjen dy javë pas përleshjeve vdekjeprurëse midis Armenisë dhe Azerbajxhanit që kërcënuan të prishnin armëpushimin që i dha fund luftës midis dy vendeve vitin e kaluar, duke vrarë të paktën 6,500 njerëz.

Përleshjet e fundit, të cilat lanë gjashtë të vdekur nga pala armene dhe shtatë nga pala azere, përfunduan pas ndërmjetësimit rus.

Jerevani dhe Baku kanë qenë në mosmarrëveshje për dekada për kontrollin e enklavës së Nagorno-Karabakut. Me një popullsi kryesisht armene, ky rajon i mbështetur nga Jerevani u shkëput nga Azerbajxhani pas rënies së BRSS, duke shkaktuar luftën e parë në vitet 1990 që vrau 30,000 njerëz.

Tensionet u përshkallëzuan në maj kur Armenia akuzoi Azerbajxhanin për shkeljen e kufirit për të kapur territorin në brigjet e liqenit Sev, të cilin dy vendet ndajnë.