BE: Shembja e shtëpive të palestinezëve nga Izraeli minon shpresat e paqes

Bashkimi Evropian ka dënuar sot praktikat arbitrare të shembjes së shtëpive dhe bizneseve të palestinezëve nga autoritetet izraelite, duke thënë se janë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe minojnë shpresat për paqe në konfliktin e rëndë të Lindjes së Mesme.

Zyra e BE në Jeruzalem në një deklaratë nga llogaria e saj në Twitter theksoi se Izraeli të martën më 23 nëntor shembi shtëpitë, hambarët dhe strukturat palestineze ende në fazën e ndërtimit në Kuds (Jeruzalem), El-Khalil (Hebron), Ramallah dhe në Nablus.

Praktikat arbitrare të shembjeve dhe konfiskimit të shtëpive dhe bizneseve të palestinezëve me pretekstin e mungesës së lejeve të ndërtimit, në 9 muajt e parë të vitit 2021 kanë shënuar 22 për qind rritje në krahasim me periudhën e njëjtë të një viti më parë, shkruan agjencia turke Anadolu.

Për shkak të shembjeve kanë mbetur pa shtëpi 22 palestinezë, 15 prej të cilëve fëmijë, thuhet në deklaratë, në të cilën bëhet thirrje për t’i dhënë fund shembjeve dhe praktikave të paligjshme që largojnë me forcë palestinezët nga shtëpitë dhe tokat e tyre.

Ndërkohë Izraeli ndërton vendbanimet e paligjshme hebreje në tokat e pushtuara të Bregut Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor, por nuk miraton dokumentacione për banimin e palestinezëve në rajonet në fjalë.

Administrata izraelite shemb me forcë shtëpitë e palestinezëve me arsyen se nuk kanë “leje ndërtimi” në të ashtuaujturën “zona C” të Bregut Perëndimor dhe në Jeruzalemin Lindor.

Ndërsa për palestinezët, duhet që në disa raste të presin për vite për të marrë “lejen e ndërtimit”.

Në raportin që organizata palestineze e shoqërisë civile “Qendra për Kërkimin e Tokës” publikoi në muajin tetor, është theksuar se Izraeli që nga viti 1967 që është edhe viti i nisjes së pushtimit e deri më tani, ka shembur 11.900 shtëpi të palestinezëve si dhe ka zhvendosur 73 mijë njerëz nga Bregu Perëndimor dhe Jeruzalemi Lindor.