Tenderi i uniformave të policisë, Gjykata e Lartë rrëzon vendimin e GJKKO-së

Gjykata e Lartë ka rrëzuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit sa i takon masave të sigurisë “arrest në burg” dhënë për Edlira Naqellarin dhe zyrtarët e tjerë të Ministrisë së Brendshme, duke e rikthyer sërish çështjen të gjykohet në Gjykatën e Apelit.

Zyrtarët e Ministrisë së Brendshme të marrë tashmë të pandehuri dërguan vendimin e Apelit që konfirmonte qëndrimin e tyre në burg duke pretenduar se ishte i pabazuar dhe kërkuar zbutje të masave, ndërkohë ende nuk dihen argumentet e Gjykatës së Lartë që i kërkon Apelit rigjykim të të njëjtës kërkesë për masat e sigurisë.

Nëntë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme u arrestuan katër muaj më parë pas një operacioni të udhëhequr nga SPAK lidhur me abuzimet për tenderin e uniformave të policisë, vlera e të cilit arrin në 25 milionë euro.

SPAK ushtroi kontrolle në banesa e zyra të personave të dyshuar për abuzime me prokurimet publike lidhur me tenderin e vitit 2020, në përfundim të të cilave u arrestuan anëtarët e Njësisë së Prokurimit: Flutura Çekrezi, Ani Omuri, Kleviz Hasani. Në burg ndodhen dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave:Kreshnik Bejkaj, Fatmir Femneri, Mariglen Buzali, Gëzim Mingaj.

Ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me drejtoreshën e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara Edlira Naqellari, të shkarkuar në 1 korrik nga ministri i Brendshëm Bledi Çuçi akuzohen se kanë shkelur rregullat e prokurimit publik, barazinë në tenderë dhe kanë shkaktuar dëm ekonomik ndaj shtetit.