111 lëndë deri në përfundimin e gjykimeve ndaj puçistëve të FETO-s

Në lëndët gjyqësore të përfunduara, 887 të pandehur janë dënuar me burgim të përjetshëm, prej të cilëve 611 me burgim të përjetshëm të rënduar

Nga 287 raste gjyqësore ndaj organizatës terroriste FETO në lidhje me tentativën për grusht shteti në Turqi, 176 kanë përfunduar me aktvendime nga gjykatat, kurse 111 janë në procedim e sipër.

Sipas të dhënave të siguruara nga Anadolu Agency (AA), prokuroritë publikë kanë kryer mbi 100 mijë hetime pas tentativës së dështuar për puç më 15 korrik të vitit 2016.

Në lëndët gjyqësore të përfunduara, 887 të pandehur janë dënuar me burgim të përjetshëm, prej të cilëve 611 me burgim të përjetshëm të rënduar.

Në mesin e personave të cilëve u është shqiptuar burgim i përjetshëm i rënduar gjenden 49 gjeneralë, 418 oficerë, 101 rreshterë, 31 rreshterë specialistë, një nënoficer specialist, një drejtor policor, 16 kadetë ushtarakë, katër inxhinierë, dy mësimdhënës, dy policë dhe gjashtë civilë.

Ndërkaq, nëntë gjeneralë, 209 oficerë, 91 rreshterë janë dënuar me burgim të përjetshëm, kurse 647 të tjerë kanë marrë dënime nga një vit e dy muaj deri në 20 vite.

Trupat gjykues po ashtu kanë shqiptuar edhe lirime nga akuzat për disa të pandehur.

Lëndët që janë duke vazhduar, gjithsej 111, pritet të përfundojnë në fund të vitit.