10 kompani ‘Call Center’ në ‘sitën’ e SPAK për mashtrim, nisin arrestimet

SPAK ka kryer një operacion në 10 kompani “Call Center” për mashtrimin e personave jashtë vendit.

Operacioni ka nisur që prej mbrëmjes së djeshme dhe po vijohet me arrestimin e të gjithë personave të përfshirë.

Qytetarët që kanë rënë pre e kësaj skeme mashtrimi financiar kontaktoheshin nga specialistë të trajnuar në fushën e tregtisë nga të ashtuquajturit ndërmjetës dhe menaxherë.

Qytetarët bindeshin nga punonjësi e “Call Center” duke investuar jashtë vendit të tyre në depozita financiare të rreme. Këto skema mashtrimi shfrytëzohen nga disa kompani, në bazë të së cilave bëhet zhvatja e parave të klientëve.

Hetimi është kërkuar nga Gjermania, pasi mësohet se bëhet fjalë për një platformë ku qytetarët komunikohen përmes telefonit e rrjeteve sociale dhe i kërkohet të investojnë shuma të mëdha parash.