1.3 milionë nënshkrime kundër pezullimit të parlamentit në Britani

Në Britani, peticionet që arrijnë në 10 mijë nënshkrime qeveria duhet t'u japë përgjigje ndërsa kur numri i nënshkrimeve kalon 100 mijë është e nevojshme të diskutohet për peticionin në Parlament.

Ka arritur në 1.3 milionë numri i nënshkrimeve në peticionin e hapur kundër vendimit të kryeministrit Boris Johnson për të pezulluar Parlamentin për 5 javë në Britani të Madhe, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në faqen e internetit të Parlamentit britanik kushtuar peticionit, numri i nënshkrimeve të paraqitura për peticionin kundër vendimit të kryeministrit Johnson për të pezulluar Parlamentin arriti në 1.3 milionë në më pak se një ditë.

“Parlamenti nuk duhet të jetë në pushim ose të shpërndahet, përsa kohë që nuk është zgjatur mjaftueshëm afati i nenit 50 dhe përsa kohë që nuk aulohet vendimi i Britanisë së Madhe për largimin nga BE-ja”, thuhet në peticion.

Në Britani, peticionet që arrijnë në 10 mijë nënshkrime qeveria duhet t’u japë përgjigje ndërsa kur numri i nënshkrimeve kalon 100 mijë është e nevojshme të diskutohet për peticionin në Parlament. Por, për shkak të pushimit të Parlamentit, mundësia e parlamentarëve që të diskutojnë për peticionin duket e dobët.

Nga ana tjetër, Ruth Davidson, drejtuesja e degës skoceze të Partisë Konservatore, i cili reagoi ndaj vendimit për të lënë në pushim Parlamentin, pritet që sot të japë dorëheqjen. Dorëheqja e Davidson-it, e cila kundërshton politikën e Johnson-it për Brexit-in pa marrëveshje, thuhet se do ta dobësojë kryeministrin britanik në Skoci.

Opozita reagon ndaj miratimit të Mbretëreshës

Dje, kryeministri britanik Johnson i kërkoi Mbretëreshës Elizabeth II të shpallë në pushim Parlamentin për periudhën 9 shtator – 14 tetor ndërsa Mbretëresha dha miratimin e saj.

Me miratimin e kërkesës u bë e mundur që Johnson të pengojë Parlamentin të miratojë një ligj për të parandaluar një Brexit pa marrëveshje. Ndërkohë thuhet se opozita e cilëson si “dhunim kushtetues” përpjekjen për pezullimin e Parlamentit.

Disa nga deputetët, kërkesën e Johnson-it e kanë cilësuar si “grusht ndaj Parlamentit” dhe disa të tjerë deklaruan se nuk do të largohen nga salla e Asamblesë së Përgjithshme derisa të nxirren me detyrim nga policia.

– Procesi i bisedimeve mes partive opozitare

Johnson përsërit shpeshherë vendosmërinë e tij për të ndarë Britaninë nga BE-ja, me ose pa një marrëveshje më 31 tetor.

Partitë opozitare në Britani po negociojnë mes tyre për të miratuar një ligj në Parlament me qëllimin për të parandaluar që Johnson të ndajë vendin nga BE-ja pa marrëveshje.

Po ashtu partitë e opozitës po debatojnë gjithashtu për skenarin e “rrëzimit të Johnson-it me një mocion votë besimi dhe” krijimin e një qeverie të përkohshme” nën drejtimin e një personi që do të shtyjë Brexit-in dhe ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Marrëveshja për Brexit-in që ish-kryeministrja Theresa May arriti me BE-në është refuzuar tre herë në Parlament.

Parlamenti britanik parandaloi Brexit-in pa marrëveshje që duhej të realizohej më 29 mars duke miratuar një ligj dhe më pas qeveria me miratimin e BE-së e shtyu Brexit-in deri më 31 tetor.

Në referendumin e vitit 2016, Britania e Madhe vendosi të largohej nga BE-ja me 52 për qind ‘pro’ ndërsa 48 për qind ishin ‘kundër’.