“Vrasësit e Khashoggit duhet të ekstradohen në Turqi”

Altun: Autoritetet saudite duhet të ekstradojnë vrasësit e Khashoggit në Turqi ku ata kanë kryer vrasjen e planifikuar më parë, si një dëshmi e dëshirës për t'i shërbyer drejtësisë

Shefi i Komunikimeve i Presidencës së Turqisë, Fahrettin Altun, tha se vrasësit e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, duhet të ekstradohen në Turqi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Altun foli për agjencinë e lajmeve Reuters në lidhje me hetimin nga ana e Kombeve të Bashkuara (OKB) rreth vrasjes së Jamal Khashoggit.

Ai duke shprehur kënaqësinë për vizitën e Agnes Callamard, Raportueses Speciale të OKB-së për Ekzekutime Jashtëgjyqësore dhe Arbitrare, përgëzoi atë për vendosmërinë e treguar për të ndriçuar vrasjen e gazetarit saudit.

Shefi i Komunikimeve i Presidencës së Turqisë theksoi se bindjet të cilat Callamard ka ndarë me gazetarët përkojnë me gjetjet që i ka siguruar Turqia.

Altun theksoi se Turqia do të japë mbështetjen më të madhe të mundur hetimit të veçantë. “Në thelb të vërtetat rreth kësaj ngjarje janë të qarta; Jamal Khashoggi është vrarë në mënyrë të gjakftohtë nga një grup operativë saudit brenda konsullatës që gjendet në Stamboll”, është shprehur Altun.

“Çështjet se ku është kufoma e Khashoggit, kush ka nxitur vrasjen dhe nëse ka ose jo bashkëpunëtor vendas për eliminimin e kufomës, ende nuk janë ndriçuar. Menaxhimi i situatës në mënyrë krejtësisht jotransparente, shkakton shqetësime serioze dhe dëmton reputacionin e zyrtarëve përkatës saudit”, ka thënë më tej ai.

Altın ka theksuar se Turqia është në kërkim të drejtësisë dhe të vërtetës. “Mos dënimi i autorëve, është duke shtuar dhimbjet e familjes dhe të të dashurve të viktimës. Autoritetet saudite duhet të ekstradojnë vrasësit e Khashoggit në Turqi ku ata kanë kryer vrasjen e planifikuar më parë, si një dëshmi e dëshirës për t’i shërbyer drejtësisë. Gjithë bota është duke e ndjekur këtë proces. Turqia, është duke kërkuar drejtësinë dhe të vërtetën ashtu siç gjithë shtet që i besojnë demokracisë dhe lirisë”, ka shtuar Altun.