Udhëtim pa viza drejt Italisë, ja se çfarë kërkohet në kufi

Doni të shkoni në Itali pa vizë? Dokumentet që iu kërkohen në kufi

Janë të shumtë personat që duan të shkojnë në shtetet fqinje pa vizë, por që gjithsesi kanë nevojë për një sërë dokumentesh për të kryer udhëtimin.

Nëse doni të shkoni në shtetin fqinj, Itali, nuk keni nevojë për vizë, për shkak të liberalizimit të vizave. Por gjithsesi duhet të respektohen disa kushte, siç është koha e qëndrimit, jo më gjatë se tre muaj.

Gjatë kalimit në kufi, ju keni nevojë për motivin e qëndrimit, shumën e parave që të përballoni jetesën gjatë kohës së qëndrimit dhe vendin ku do të shkoni.

Për shkak të rritjes së kontrollit kundër terrorizmit e kundër emigracionit klandestin, policia e kufirit po tregohet e rreptë.

Përveç pasaportës biometrike, në kufi iu duhen edhe një sërë dokumentesh, mes tyre:

-Bileta e kthimit

-Sigurimin shëndetësor që të mbulojë udhëtimin dhe periudhën e qëndrimit

-Shumë e mjaftueshme parash për qëndrimin në Itali

-Kur deklaron se udhëton për vizitë tek një i afërm, shtetas apo rezident në Itali, duhet paraqitur deklarata e mikpritjes (dichiarazione di ospitalità) të personit që jeton këtu bashkë me fotokopjen e dokumentit të tij të identitetit.

-Kur deklaron në kufi se po udhëton për turizëm, për pushime, i pavarur nga pritja apo shoqërimi i një personi tjetër, duhet të paraqitet një rezervim hoteli.

-Kur deklaron se udhëton për aktivitete të ndryshme, paraqitet dokumentacioni mbi aktivitetin, për të cilin personi është ftuar.

-Kur deklaron se udhëton për arsye shëndetësore, paraqitet konfirmimi i institucionit shëndetësor ku do shkohet apo rekomandimi nga institucioni shëndetësor shqiptar (rastet e kryerjes së analizave etj.).

-Nëse udhëton drejt zonës Shengen me automjet duhet të pajisesh me patentë ndërkombëtare drejtimi dhe me kartonin jeshil të sigurimit ndërkombëtar të makinave.