Londra kërkon në formë ultimative nga ana e Moskës që të japë shpjegime brenda ditës së martë se si një agjent nervor, prodhim rus u përdor në sulmin ndaj ish-agjentit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij.
Në lidhje me këtë sulm ka reaguar edhe NATO. “Britania është një aleat i vyer dhe incidenti është shumë shqetësues për Aleancën”, tha Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg.
Shtetet e Bashkuara e quajnë skandaloz. “Një akt skandaloz, pas të cilit qartësisht qëndron Rusia dhe për këtë duhet të ketë pasoja serioze”, tha Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson.
Ish-spiuni rus, Sergei Skripal dhe vajza e tij Yulia u gjetën pa ndjenja në Salisburi të Britanisë së Madhe, pasi u ekspozuan ndaj një agjenti nervor.
Rusia i mohon akuzat dhe përmes ministrit të saj të Jashtëm, Sergei Lavrov i cilësoi ato “shfaqje teatrale provokuese”.