Sot fillon Samiti i NATO-s

Erdoğan do të zhvillojë takime me presidentin amerikan Trump, presidentin francez Macron, kryeministren britanike May dhe me shumë liderë të vendeve të NATO-s

Samiti i NATO-s që do të fillojë sot në kryeqytetin e Belgjikës, Bruksel, do të jetë skenë e shumë risive, transmeton Anadolu Agency (AA).

Bëhet e ditur se “takimi i krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve të NATO-s” që do të zhvillohet në Bruksel sot dhe nesër (11-12 korrik) do të zhvillohet për herë të parë në selinë e re të NATO-s.

Po ashtu edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan pas formimit të kabinetit presidencial do të marrë pjesë për herë të parë në një samit ndërkombëtar si presidenti i parë i sistemit qeverisës presidencial.

Edhe disa emra nga kabineti i presidentit Erdoğan do të marrin pjesë në samitin e NATO-s. Ish shefi i shtabit të Turqisë gjenerali Hulusi Akar, do të marrë pjesë në samitin e NATO-s për herë të parë si “Ministër i Mbrojtjes Kombëtare”. Gjithashtu edhe Berat Albayrak do të marrë pjesë për herë të parë si “Ministër i Thesarit dhe Financave”.

Në delegacionin e presidentit Erdoğan do të jetë i pranishëm edhe ish komandanti i Forcave tokësore Yaşar Güler i cili në këtë samit do të marrë pjesë për herë të parë si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë.

– Erdoğan, do të takohet me presidentin amerikan Trump

Në kuadër të Samitit në fjalë Erdoğan, do të zhvillojë takime dypalëshe dhe do të zhvillojë bisedime me presidentin amerikan Donald Trump, presidentin francez Emmanuel Macron, me kryeministren britanike Theresa May dhe me shumë liderë të vendeve të NATO-s.

Parashikohet se në takime do të diskutohet sistemi raketor S-400 që Turqia do të marrë nga Rusia dhe mbështetja që disa vende të NATO-s ofrojnë për YPG-në e cila në Siri është krahu i organizatës terroriste PKK.

Ndër të tjera pritet që presidenti Erdoğan të zhvillojë takime edhe me Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, Presidentin e Komisionit Europian Jean-Claude Juncker dhe Presidentin e Parlamentit Evropian, Antonio Tajani.

Samiti i NATO-s do të fillojë me shfaqen e 20 helikopterëve ushtarakë të vendeve të Aleancës si SHBA-ve, Belgjikës, Francës, Gjermanisë, Danimarkës, Hungarisë, Italisë, Polonisë, Rumanisë, Sllovenisë, Çekisë ku dhe do të jenë të pranishëm edhe 2 helikopterët T129 Atak të Turqisë.