“Siguria kombëtare e Turqisë është e panegociueshme”

"T'i barazosh kurdët e Sirisë me grupin terrorist të mbështetur nga SHBA sikur të ishin e njëjta gjë, është ofendim ndaj popullit kurd dhe inteligjencës sonë", theksoi Altun

 Shefi i Komunikimeve i Presidencës së Turqisë, Fahrettin Altun, tha se siguria kombëtare është e panegociueshme, transmeton Anadolu Agency (AA).

Altun bëri dy postime në rrjetin social Twitter në lidhje me takimet e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së John Bolton në Ankara.

“Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së John Bolton zhvilloi sot bisedime me bashkëbiseduesin e tij turk Ibrahim Kalın në Kompleksin Presidencial në Ankara. Shpresoj të ketë shijuar mikpritjen turke me famë botërore gjatë vizitës së tij”, shkroi Altun.

“Siguria kombëtare e Turqisë është e panegociueshme. Lufta jonë kundër terrorizmit nuk është një çështje ‘nëse’, por ‘kur’. T’i barazosh kurdët e Sirisë me grupin terrorist të mbështetur nga SHBA sikur të ishin e njëjta gjë, është ofendim ndaj popullit kurd dhe inteligjencës sonë”, theksoi Altun.

Ndryshe, takimi i delegacionit amerikan erdhi pasi Bolton gjatë një vizite në Izrael të dielën tha se SHBA nuk do të tërheqë trupat nga Siria verilindore derisa qeveria turke të garantojë se nuk do të sulmojë “luftëtarët kurdë”, duke iu referuar organizatës terroriste YPG/PKK.

Zyrtarët turq kanë refuzuar çdo identifikim të kurdëve etnikë me terroristët e YPG/PKK-së, duke thënë se grupi terrorist në fjalë terrorizon të gjithë civilët në Siri, qofshin ata kurdë, arabë dhe turkmenë.

Në fushatën e saj 30-vjeçare terroriste, PKK ka shkaktuar vdekjen e 40.000 personave. YPG është dega e saj siriane.

Turqia ka paralajmëruar një operacion antiterrorist në Siri kundër YPG/PKK-së, pas dy operacioneve paraprake të suksesshme, “Mburoja e Eufratit” dhe “Dega e Ullirit”.

Gjithashtu, Turqia ka kritikuar bashkëpunimin e SHBA-së me YPG/PKK-në terroriste për të luftuar DEASH-in, duke e cilësuar si të pakuptimtë përdorimin e një grupi terrorist për të luftuar një tjetër.