Shqipëri, shënohet Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut

Me rastin Ditës Botërore të Dhurimit të Gjakut në Parkun "Rinia" në Tiranë që në orët e para të mëngjesit u ngrit një çadër për të dhuruar gjak për publikun e gjerë

Me rastin e Ditës Botërore të Dhurimit të Gjakut në Parkun “Rinia” në Tiranë që në orët e para të mëngjesit u ngrit një çadër për të dhuruar gjak për publikun e gjerë.

Çadrën e ngritur nën kujdesin e Kryqit të Kuq Shqiptar për dhurimin e gjakut e vizitoi edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili në një prononcim për mediat u shpreh se ky është një demonstrim i solidaritetit të shumë të rinjve dhe të rejave, të cilët dhurojnë gjak për të shpëtuar jetë.

Sipas Metës, kjo është një çështje mjaft sensitive, sidomos në periudhën e verës dhe është e rëndësishme të shtohet angazhimi vullnetar, që të mos ketë sipas tij mungesë gjaku për përballimin e të gjitha nevojave të qytetarëve.

“Unë do të jem një anëtar i rregullt i dhuruesve vullnetar të gjakut. Në dy javët që vijnë do të formalizojmë edhe Aleancën Kombëtare të Dhuruesve të Gjakut, që do të jetë një forum gjithëpërfshirës, të cilin do ta drejtoj unë së bashku me përfaqësues të tjerë të institucioneve dhe organizatave të tjera të angazhuara. Kjo në mënyrë që të zgjidhim në një kohë të shpejtë këtë çështje si dhe të kemi një demonstrim të qartë të humanizmit që ne kemi si popull dhe si komb. Ne do të arrijmë një sukses të shpejtë dhe të qëndrueshëm në mënyrë që t’i japim zgjidhje përfundimtare dhe tërësisht vullnetare këtij problemi. Kam shumë besim tek të gjithë të rinjtë dhe të rejat në të gjithë Shqipërinë”, deklaroi Meta, , raporton “Anadolu Agency”.

Ndërkohë për shënimin e kësaj dite janë organizuar aktivitete nga institucione dhe organizata të ndryshme, ndërsa slogani i këtij viti është “Diku për dikë; dhuro gjak; shpërnda jetë”.

Për Kryqin e Kuq Shqiptar, dita e sotme ishte kulmi i një fushate më shumë se dy javore në fushën e dhurimit vullnetar të gjakut. Disa aktivitete janë zhvilluar në degët e Kryqit të Kuq Shqiptar, me një objektiv që të arrijnë që brenda kësaj fushate të realizohen 1200 dhurime gjaku.