“SHBA ka braktisur premtimet ndërkombëtare për Palestinën”

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Çlirimtare të Palestinës, Saib Urejkat, nëpërmjet një deklarate me shkrim ka reaguar ndaj anulimit të ndihmave të SHBA-ve për Palestinën

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Çlirimtare të Palestinës, Saib Urejkat, ka reaguar duke e cilësuar “skandal” anulimin me udhëzimin e presidentit amerikan, Donald Trump, të ndihmave prej 200 milionë dollarësh të planifikuar për Palestinën, transmeton Anadolu Agency (AA).

  • SHBA anulon ndihmën prej 200 milionë dollarë për Palestinën

Sekretari Urejkat nëpërmjet një deklarate me shkrim ka reaguar ndaj anulimit të ndihmave të SHBA-ve për Palestinën.

“Ndihmat nuk janë mirënjohje për popullin palestinez. Por ato janë një detyrë e komunitetit ndërkombëtar i cili mban përgjegjësinë për vazhdimin e pushtimit izraelit i cili është pengesë përpara zhvillimit dhe përparimit të komunitetit palestinez. SHBA-ja me këtë hap ka braktisur premtimet ndërkombëtare ashtu sikurse ka hequr dorë nga angazhimi i legjitimitetit ndërkombëtar”, është shprehur Urejkat në deklaratën e tij.

Duke e cilësuar “skandal” anulimin e ndihmave nga SHBA-ja për Palestinën, Urejkat ka theksuar se ky vendim gjithashtu është politizim i programeve të ndihmës së SHBA-ve.

Ky hap i SHBA-ve “është një pranim i qartë i qëllimit të vërtetë të ndërhyrjes në punët e brendshme të popujve të tjerë dhe ndikimin e preferencave të tyre kombëtare”, ka theksuar Urejkat, duke shtuar se “Populli palestinez nuk i pranon ndihmat e kushtëzuara”.

Qeveria amerikane kishte njoftuar se me udhëzim të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, ndihmën prej 200 milionë dollarë të planifikuar për Palestinën do ta transferonte në vende të tjera.