Qeveria miratoi projektin e katërt të madh koncesionar në infrastrukturë nga paketa 1 miliardë euro. Bëhet fjalë për rrugën Milot-Balldren, pjesë e autostradës adriatiko-joniane.
Propozimi për segmentin Milot Balldren është bërë përmes një oferte të pa-kërkuar nga kompania shqiptare ANK. Për këtë arsye qeveria e ka shpërblyer kompaninë me një bonus prej 8.5 për qind të pikëve duke i dhënë avantazh në tenderin që pritet të zhvillohet shumë shpejt.
Rruga Milot Balldren është segmenti i katërt kombëtar që miratohet nga programi 1 miliardë euro i rindërtimit. Më parë, nga ky program janë miratuar rruga e arbrit dhe aksi Thuman-Kashar, ndërsa javën e shkuar qeveria miratoi edhe koncesionin e rrugës Orikum-Dukat, raporton Top Channel.
Të katër rrugët e miratuara deri më tani kanë një kosto totale prej 670 milionë euro ose rreth 6 për qind e prodhimit kombëtar, pa përfshirë aeroportin e Vlorës. Të gjitha këto investime do të paguhen me këste nga buxheti I shtetit gjatë 15 viteve të ardhshme, ku fatura mund të shkojë deri në 100 milionë euro në vit.
Qeveria vazhdon të miratojë koncesionet e programit 1 miliardë euro edhe pse fondi monetar ndërkombëtar I pati kërkuar pezullimin e menjëhershëm të tij. Sipas FMN-së, procedurat se si qeveria jep koncesionet nuk garantojnë mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe mund të sjellë rreziqe të mëdha për financat e shtetit në të ardhmen.