Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin ka shpërthyer ditën e djeshme në kritika të forta në adresë të gjithë politikanëve që po sulmojnë reformën në drejtësi.
Gjatë një interviste për “Deutsche Welle”, shefja e diplomacisë europiane deklaroi dje hapur se reforma po intimidohet nga ai grup politikanësh që kanë probleme apo halle personale.
Por për të parën herë, ambasadorja bëri një deklaratë shumë të fortë, duke thënë se ka marrë kërcënime dhe shantazhe nga politikanë të caktuar që reforma në drejtësi të bllokohet. “Sfida më e madhe ishte padyshim antagonizmi i brendshëm politik dhe interesat personale të grupeve, që në mënyrë konstante u përpoqën të kërcënojnë, bëjnë shantazh, të ulin dhe sulmojnë përpjekjet për reformat, qoftë kjo reforma në drejtësi, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, financat publike. Gjithsesi, njëherazi, përpjekjet për të parandaluar ose bllokuar reformat ishin prova më e mirë që këto reforma ishin jashtëzakonisht të nevojshme dhe në interesin më të mirë të axhendës shqiptare të BE-së. Për sa i përket përvojave të mia më të mira: do të duhej shumë hapësirë për t’i listuar. Por do të thosha, mbi të gjitha, përvoja nga njerëz të mrekullueshëm, shumë punëtorë, të ndershëm dhe të mençur që i takova kudo. Dhe veçanërisht nga gratë e jashtëzakonshme, fenomenale të Shqipërisë”, u shpreh ajo.
Mesazhi i Vlahutin
Ambasadorja bëri edhe një paralajmërim për të gjithë ata individë që po vendosin shkopinj poshtë gomës së reformës në drejtësi. Sipas Vlahutin, çdo tentativë bllokimi e reformës ka për të dështuar. “Ka pasur dhe ende ka shumë përpjekje, nga ata që kundërshtuan reformën për shkak të interesave vetjake, që e sulmuan atë me mjete të ndryshme, por që dështuan. Sistemi i ri i gjyqësorit është tani një realitet kushtetues. Pati humbje kohe për shkak të atyre përpjekjeve të dështuara dhe grindjeve politike, por edhe këto të fundit janë pjesë e procesit. Natyrisht, në një reformë kaq gjithëpërfshirëse, të duhet të presësh edhe momente të vështira, por e rëndësishme është që njerëzit kuptojnë se kjo reformë është vendimtare për shoqërinë dhe se nuk është e mundur të ndryshosh në pak muaj atë që është shkatërruar për dekada të tëra”, deklaroi ajo, raporton Sot.
Angazhimi i BE në Shqipëri
Sa i takon investimeve të Bashkimit Europian në Shqipëri, ambasadorja Romana Vlahutin vuri në dukje faktin se BE është angazhuar fuqishëm, duke mbështetur çdo reformë të qeverisë, sidomos në luftën ndaj krimit e korrupsionit si dhe konsolidimin e sistemit të drejtësisë. “Natyrisht u angazhuam edhe në të gjitha reformat e tjera në veçanti në ato që lidhen me zbatimin e ligjit në përgjithësi, luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, me reformën në administratën publike dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Pashë rezultatet e angazhimit tonë me publikun dhe është vërtet interesante kur sheh që përgjigja e medias së vërtetë sociale ndaj punës sonë është rritur 1000 %. Kjo do të thotë se nuk flasim dhe nuk punojmë më kot, njerëzit kanë njohur dhe kuptuar ndryshimin që integrimi europian sjell në cilësinë e jetës së tyre të përditshme. Personalisht për mua kjo është shumë e rëndësishme: që qytetarët të shikojnë dhe të kuptojnë plotësisht që BE është një forcë e ndryshimit për më mirë”, nënvizoi diplomatja Vlahutin.