Policia trajton përplasjen e automjetit në Westminster si sulm terrorist

Kryeministrja Theresa May në rrjetin social Twitter shkroi se solidarizohet me personat e lënduar, ndërkohë që falenderoi shërbimet për ndërhyrjen e shpejtë dhe të guximshme

Policia e Britanisë tha se është duke e trajtuar përplasjen e sotme të automjetit në Westminster të Londrës si një sulm terrorist, raporton Anadolu Agency (AA).

Ndihmës komesari për luftë kundër terrorizmit, Neil Basu, deklaroi se policia menjëherë pas incidentit ka dalur në vendin e ngjarjes dhe ka arrestuar të dyshuarin, i cili sipas tij nuk po bashkëpunon me policinë, e cila mbetet ta identifikojë edhe formalisht.

“Ne po e trajtojmë incidentin si një sulm terrorist”, tha Basu.

Kryeministrja Theresa May në rrjetin social Twitter shkroi se solidarizohet me personat e lënduar, ndërkohë që falenderoi shërbimet për ndërhyrjen e shpejtë dhe të guximshme.

Qeveria nga ana e saj ka njoftuar se sot do të mbajë një takim të lartë sigurie, ndërkohë që policia e trafikut thotë se do të shtojë numrin e patrullave në Angli, Skoci dhe Uells.

Ndryshe, disa këmbësorë pësuan lëndime, dy nga të cilët përfunduan në spital, si pasojë e përplasjes së një automjeti në barrierat e godinës së Parlamentit në Londër të martën në mëngjes, me ç’rast policia arrestoi një burrë në vendin e ngjarjes.

Policia Metropolitane tha se asnjëri nga të lënduarit nuk është në rrezik për jetë, ndërkohë që policia ka vendosur kordonet policore përgjatë rrugëve Millbank, sheshit të Parlamentit dhe Victoria Tower Gardens.

Barrierat e sigurisë janë vendosur në vazhdën e rritjes së sigurisë së ndërtesës së Parlamentit, pas sulmit terrorist i cili la pesë të vrarë dhe 50 të plagosur.

Në sulmin terrorist i cili ndodhi më 22 mars të vitit të kaluar, një person me automjetin e tij përplasi këmbësorët në urën Westminster, pas çka theri me thikë një polic i cili po bënte roje para Parlamentit, ndërsa më pas u qëllua për vdekje nga policia.