Panos Kammenos: Për marrëveshjen me Maqedoninë vendos populli grek

"Pa dhënë populli grek verdiktin nuk do të lejojmë të pranohet marrëveshja", tha ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kammenos

Ministri i Mbrojtjes së Greqisë, Panos Kammenos, lidhur me marrëveshjen e arritur për emrin e Maqedonisë, tha se ka nevojë që populli grek të vendosë me anë të referendumit ose zgjedhjeve, raporton Anadolu Agency (AA).

Kammenos i cili njëherësh është edhe krytar i partisë “Grekët e Pavarur” (ANEL), partner i koalicionit qeveritar në Greqi, në një konferencë për media dha vlerësime në lidhje me marrëveshjen për çështjen e emrit të arritur mes Maqedonisë dhe Greqisë.

Ai tha se marrëveshja e arritur është një marrëveshje “e keqe”, duke shtuar se “Pa dhënë populli grek verdiktin nuk do të lejojmë të pranohet marrëveshja”.

Kammenos theksoi se për miratimin e marrëveshjes në Parlamentin me 300 ulëse, do duhet miratimi nga 180 deputetë e jo nga 150.

“Nëse marrëveshjen nuk e miratojnë 180 deputetë do duhet që populli të vendosë. Kjo mund të ndodhë me referendum ose në zgjedhje”, tha Kammonos.

“Pa u mbajtur referendumi në Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë (FYROM) ose pa miratimin në Parlamentin tonë, nuk mund të realizohet asnjë procedurë në lidhje me anëtarësimin në NATO”, potencon Kammenos, duke shtuar se në rast se marrëveshja nuk kalon në parlamenti nuk ka asnjë detyrim.

– Kotzias: Marrëveshje e mirë

Ndërkohë ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka thënë se marrëveshja e arritur është “një marrëveshje e mirë”.

“Nuk ka nevojë për miratimin e 180 deputetëve, sepse nuk e komprometon sovranitetin kombëtar”, tha Kotzias.

“E zgjodhëm këtë problem sepse besojmë se zgjidhja e problemeve që na prekin është në interes të Greqisë. Do të mundësojë që me popullin tonë të shohim të ardhmen”, tha Kotzias, sipas të cilit, Greqia ka dalë nga kriza.

Marrëveshja mes Maqedonisë dhe Greqisë e cila parasheh ndryshimin e emrit të vendit në “Republika e Maqedonisë së Veriut” u nënshkrua më 17 qershor, ndërsa në Parlamentin e Maqedonisë u miratua më 20 qershor.