Oerd Bylykbashi: Kodi nuk ndryshohet 3 muaj para zgjedhjeve

“Çdo reformë me deputetë fiktivë minon besimin e procesit”

Ftesën e Kryeministrit Rama drejtuar opozitës për ta miratuar sëbashku Reformën Zgjedhore, ku të vendosen edhe sanksione të forta në ligj për shitblerjen e votës, demokratët nuk e marrin seriozisht. Ish-bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, thotë se një ndërhyrje e tillë vetëm 3 muaj para zgjedhjeve do të ishte kaotike dhe se ajo bie ndesh me Kodin e Praktikave të Mira, që thotë se 6 muaj përpara zgjedhjeve nuk mund të bëhen amendime në ligjin elektoral.

 

“Problemet kryesore janë kartat e identitetit, përdorimi i policisë, presioni i administratës, janë probleme të zgjidhura sot në Kodin Zgjedhor dhe Penal. Thirrja e zotit Rama është sa qesharake dhe shqetesuese se ku po degradon koncepti i tij për qeverisjen. Kodi Zgjedhor nuk ndryshohet, pasi ndryshimet në këtë fazë do çonin në kaos të procesit pasi do fshihej pas parregullsive teknike”.

Në mungesë të opozitës, që tashmë është jashtë parlamentit, kreu i qeverisë ka paralajmëruar se do ta kalojë Reformën Zgjedhore me opozitën e re, e cila zuri vendet e zëna bosh pas djegies së mandateve nga deputetët e PD-së e LSI-së. Por Bylykbashi thotë se një gjë e tillë do minonte politikisht procesin.

“Opozita s’është në Parlament dhe në çdo rast do ishte ndryshim i papranueshëm politik, do hidhte në erë çdo besim mbi procesin zgjedhor ndryshimi në mënyrë të njeanshme. Reforma zgjedhore është një çështje më serioze sesa anektoda me numër fiktiv deputetësh në Parlament. Nëse do ndodhë një ndryshim i rëndësishëm nga Rama sot me vota të blera, do kishim një kthim dramatik në vitin 2000 ku u miratua në mënyrë të njëanshme nga PS dhe u deshën 10 vite për ta sjellë në binarët e ligjit. Në 2015, Rama e theu dhe e bëri të njëanshme reformën zgjedhore me reformën territoriale”.

Ndërkombëtarëve të cilët kanë apeluar për bashkëpunim mazhorancë-opozitë për Reformën Zgjedhore, Bylykbashi i kujton standardet, që sipas tij, çeduan në raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri.

“Ndërkombëtarët kanë një bibël që është raporti i OSBE-ODIHR që u tregon shumë qartë. Po kjo është bibël edhe e BE, dhe në këë bibel raporti i ODIHR përcakton problemet, shitblerja e votës, kapja masive mes kontrollit të shtetit, presioni mbi administratën publike tregon që shteti dhe PS janë bërë një”.

Opozita nuk ka ende një qëndrim zyrtar nëse do të hyjë apo jo në zgjedhjet vendore të 30 Qershorit. Ajo nuk ka dërguar anëtarët për KZAZ në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve dhe as propozimet për dy anëtarët që mungojnë në këtë komision.