Falë ndërhyrjes nga ndihma e shpejtë e ekipit të urgjencës dhe mjeteve të reja jetëshpëtuese të autoambulancës pranë plazhit të Velipojës, 18-vjeçari arriti t’i shpëtonte paralizës së gjymtyrëve të tij për gjithë jetën.
Para disa ditësh, një ngjarje e rëndë u shmang në plazhin e Velipojës ku një 18-vjeçar, E. M., u shpëtua nga ekipi i urgjencës shëndetësore teksa u hodh nga një lartësi prej dy metrash në cektinë. Ndërhyrja e shpejtë e skuadrës së emergjencës në plazh (brenda 5 minutave) bëri të mundur që i riu t’i shpëtonte paralizës.
Pas mbërritjes me helikopter në Tiranë, i riu iu nënshtrua operacionit, i cili doli me sukses. Ai tregoi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare ngjarjen e ndodhur.
“Isha në plazh me një shok dhe një shoqe dhe ika në det për t’u larë si përditë dhe u hodha në det dhe e pashë se ishte cekësi dhe mora për t’u zhytur cekët fare dhe u ngula me kokë. Nga ai moment u mpiva fare nga koka tek këmbët dhe nuk ndjeva asgjë. Ambulanca mund të ketë vonuar maksimumi 10 minuta dhe falë tyre jam këtu, sepse mund të isha në karrige me rrota. Operacioni doli me shumë sukses”, – tha E.M.
I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe daja i tij, që ndau detaje nga momenti i ngjarjes.
“Ishte me të vërtetë prezente, nuk e di a i kanë bërë 3 apo 4 minuta, ambulanca brenda 5 minuta ishte aty. Unë jetoj jashtë për momentin dhe as atje nuk do të kishte ndodhur me kaq shpejtësi të ishin prezentë, nuk do ta kisha besuar”, – u shpreh i afërmi i tij.
Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës, Skënder Brataj shpjegoi rastin në fjalë duke vënë në dukje se falë setit të pajisjeve moderne, shpejtësisë së skuadrës së urgjencës dhe përgatitjes së tyre, u arrit të shmangej fatkeqësia për E.M, që mund të mbetej për tërë jetën i paralizuar. Sipas tij, teknikat e gabuara që mund të përdoren për të dhënë ndihmën e parë mund të çojnë në dëme të pariparueshme, ndaj edhe Qendra e Urgjencës Kombëtare po ofron trajnime për qytetarët, për të shmangur fatkeqësi të tilla.
“Këtë vit ndodhi që një nga plazhistët, 18 vjeç, me lojërat e ujit, duke u hedhur nga trampolinat që janë përgjatë bregdetit, u hodh në një vend të cekët, ku edhe teknika e hedhjes dhe krenaria e adoleshentit për të treguar se si hidhen, bëjnë edhe mënyra të tilla të hedhjes duke vënë duart mbrapa dhe duke u hedhur me kokë. Çdo teknikë e gabuar nga plazhi tek qendra shëndetësore, nga qendra shëndetësore tek helikopteri, nga helikopteri tek trauma, nga trauma deri në sallën e operimit, çdo lëvizje e pamenduar, e pakontrolluar dhe e pamobilizuar mund të shkaktonte paralizë të gjymtyrëve. Ndodhi që kërkuan ndihmë, djali u hodh dhe thanë traumë cervikale që rrezikon të ngelet i paralizuar dhe ne aktivizuam makinën e dhënies së ndihmës, njoftuam helikopterin. Sa helikopteri del nga hangari i vet për t’u ndezur, ne me autoambulancën shkuam për dy minuta, 3 minuta me personelin”, – përfundoi Brataj.
https://www.facebook.com/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/1352072014927100/