Ministrat e Jashtëm të G7 takohen sot në Gjermani

Ministrat e Jashtëm të G7 takohen sot në Gjermani për të diskutuar masat më të mira për të mbështetur Kievin, pasi sulmet e fundit ruse në infrastrukturën energjetike të Ukrainës shkaktuan ndërprerje të gjera të energjisë në vend.

Fokusi i samitit ministror dyditor në Münster në Gjermaninë perëndimore do të jetë lufta në Ukrainë, por roli i Kinës në skenën politike globale si dhe protestat në Iran do të jenë gjithashtu në agjendë, raporton Reuters.

“Ky takim ministror i G7 vjen në një moment të rëndësishëm për ne,” tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, duke vënë në dukje se grupi “ka qenë një mekanizëm jetik për koordinimin e qasjes politike ndaj çështjeve më urgjente”.

Ministrat e G7 ndoshta do të diskutojnë gjithashtu vendimin e fundit të kancelarit gjerman Olaf Scholz për të lejuar kompaninë kineze të anijeve Cosco të investojë në një terminal në Hamburg, si dhe synimin e tij për të vizituar Pekinin nesër.