Mbi 900 emigrantë që gjendeshin në një anije të Rojës Bregdetare të Italisë pasi u shpëtuan në shtatë operacione të ndryshme në Detin Mesdhe, kanë arritur në Itali.
Sipas një lajmi të agjencisë italiane “ANSA”, anija “Diciotti” e komandës bregdetare me 932 emigrantë të shpëtuar në shtatë operacione në Mesdhe, ka arritur në Portin e Katanias në Sicili, ku emigrantët kanë zbarkuar.
Siç mësohet, në anije gjendeshin edhe dy persona të cilët humbën jetën gjatë operacioneve.
Pesë emigrantë, përfshirë katër gra shtatëzëna dhe një fëmijë, para arritjes në Katania janë hospitalizuar me helikopterë në Agrigento dhe Palermo pas transferimit të parë në Lampedusa, raporton “Anadolu Agency”.
Shumica e emigrantëve përbëheshin nga shtetas të Eritresë, ndërsa të pranishëm në port ishin edhe personeli për evakuim, një ekip policor i angazhuar nga Prokurori Rajonal i Katanias për zhvillimin e hetimit në lidhje me rastin.