Anija me mbi 600 emigrantë të shpëtuar në Detin Mesdhe, e që janë në bordin e anijes Aquarius, ende nuk e di se cili do të jetë fati i tyre, pasi Italia dhe Malta refuzuan që ata të zbresin nga anija në territorin e tyre.
Në Mesdhe ka mbetur në det të hapur pasi iu refuzua ndihma nga Italia dhe Malta.
Duket se Matteo Salvini po mban një premtim të fushatës për të ndaluar ankorimin në Itali të anijeve që sjellin emigrantë, qofshin këto anije humanitare. Pikërisht për një të tillë bëhet fjalë, anija Aquarius e organizatës bamirëse gjermane SOS Meditterranee, e cila shpëtoi qindrat e emigrantëve në ujërat libiane. Por ministri i brendshëm Salvini tha se është Malta që duhet t’i marrë ata emigrantë, diçka që është hedhur poshtë nga autoritetet Malteze.
“Në Mesdhe ka anije që mbajnë flamurin e Holandës, Spanjës, Gjibraltarit dhe Britanisë së Madhe. Ka OJQ gjermane dhe spanjolle, Malta nuk pranon askënd, Franca po ashtu, Spanja mbron kufirin e saj me armë, pothuajse e gjithë Evropa kujdeset për interesat e saj. ”
“Prej tani, Italia ka filluar t’i thotë jo tregtisë së njerëzve, jo kontrabandës. Qëllimi im është të jem në gjendje të garantoj një jetë të qetë për këta të rinj në Afrikë dhe fëmijët tanë në Itali”-përfundon Mato Salvini.
Pozicioni i tij, sipas shumë analistëve, ka të ngjarë të shkaktojë tensione me Bashkimin Evropian dhe një numri vendesh anëtare. Ndërkaq “Daily Mail” thotë në një shkrim se Shqipëria dhe Maqedonia janë dy opisione për ngritjen e kampeve të refugjatëve jashtë vendeve të BE-së. Sipas të përditshmes Britanike, zgjedhja e dy vendeve jo anëtare bëhet me qëllimin që azilkërkuesit të dekurajohen nga kushtet, por edhe nga pamundësia për kalimin në vendet e BE-së.
Por autoritetet malteze e kanë hedhur poshtë një gjë të tillë. Sipas tyre, emigrantët u shpëtuan në ujërat libiane dhe janë nën juridiksionin e Italisë. Ndërsa Agjencia e OKB-së për Emigrantët i bëri thirrje dy qeverive të gjejnë një zgjidhje të shpejtë, pasi emigrantët janë lënë nën mëshirën e fatit vetëm dhjetëra kilometra larg Italisë dhe Maltës.