Hashim Thaçi: Duhet ta vazhdojmë luftën e pakompromis ndaj korrupsionit

Në një konferencë të organizuar nga misioni i OSBE-së në Prishtinë, u kërkua që Kosova ta vazhdojë parandalimin dhe luftimin ndaj korrupsionit të të gjitha niveleve.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë që u organizua nga misioni i Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE) në Prishtinë, ka thënë se Kosova duhet ta vazhdojë parandalimin dhe luftën e pakompromis ndaj korrupsionit të të gjitha niveleve, raporton Anadolu Agency (AA).

Thaçi tha se korrupsioni është kërcënim serioz jo vetëm për Kosovën por për të gjitha vendet, duke shkaktuar pasoja në politikë, shoqëri si dhe në ekonomi. Për luftimin e kësaj dukurie, presidenti Thaçi tregoi se Kosova ka rritur numrin e gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas nevojës. Por, tha se edhe përkundër rezultateve të mira, duhet të vazhdohet me punë kundër korrupsionit.

“Gjithashtu, mund të konstatoj se Republika e Kosovës gradualisht, ka rritur numrin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në pajtim me nevojat. Po ashtu, ka ngritur kapacitetet e institucioneve tjera të zbatimit të ligjit si dhe ka rritur buxhetin për institucionet e sundimit të ligjit, që kanë qenë sfida në të kaluarën. Përkundër rezultateve ne duhet edhe më tej të vazhdojmë luftën e pakompromis ndaj korrupsionit të të gjitha niveleve. Duhet të tejkalojmë ngecjet e identifikuara, duke vepruar dhe zbatuar ligjet me një rigorozitetet dhe një përkushtim edhe më të madh”, tha Thaçi.

Ai u bëri thirrje nga konferenca të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve që luftën kundër korrupsionit ta kenë prioritet.

Ndërkaq, shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, tha se korrupsioni i nivelit të lartë duhet të ndëshkohet, sepse dëmton shtetësinë e Kosovës, ekonominë e vendit dhe zhvillimin e saj. Braathu deklaroi se në 2018-ën, kanë monitoruar 169 raste të korrupsionit në Kosovë që përfshinin zyrtarë të lartë të pushtetit qendror dhe lokal, që kryesisht kishin të bënin me keqpërdorimin e pozitës zyrtare.

“Korrupsioni i nivelit të lartë minon besimin në institucione dhe kjo është arsyeja pse ne dhe OSBE-ja i mbajmë lartë në axhendat tona aktivitetet për luftimin e tij. Përpjekjet tona megjithatë mund të arrijnë rezultate vetëm nëse punojmë së bashku dhe në partneritet me institucionet dhe udhëheqësit politik në Kosovë”, tha Braathu.

Aktivitetet e Misionit të OSBE-së në Kosovë kundër korrupsionit përfshijnë ndërtimin e kapaciteteve hetimore të agjencive të zbatimit të ligjit, monitorimin e rasteve të korrupsionit që përfshijnë zyrtarë të lartë dhe rritjen e llogaridhënies së institucioneve publike dhe besimin e publikut tek ata. Ndër planet e këtij misioni në vitin 2019 në Kosovë është përmirësimi i kapaciteteve hetimore në Policinë e Kosovës, Njësinë e Inteligjencës Financiare (FIU), prokurorëve dhe institucioneve tjera relevante në luftën kundër korrupsionit.Thaçi: Duhet ta vazhdojmë luftën e pakompromis ndaj korrupsionit