“FMN pret rritje ekonomike të Turqisë prej 3.9% në 2019”

Drejtori i Departamentit për Kërkime në FMN, Gian Maria Milesi-Ferretti thotë se FMN-ja pret që ekonomia e Turqisë këtë vit të shënojë rritje prej 4.2 për qind

Drejtori i Departamentit për Kërkime në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), Gian Maria Milesi-Ferretti thotë se FMN-ja pret që ekonomia e Turqisë këtë vit të shënojë rritje prej 4.2 për qind ndërsa vitin e ardhshëm 3.9 për qind.

Në një prononcim për Anadolu Agency (AA), Milesi-Ferreti pas azhurimit të raportit të FMN-së mbi Raportin Botëror të Ekonomisë tha se “Rritja prej rreth 4 për qind është një performancë e mirë kur merret parasysh mjedisi i tregut dhe perceptimi ndaj ekonomive të tregut në zhvillim”.

“Presim rritje prej 4.2 për qind këtë vit dhe rritje 3.9 për qind vitin e ardhshëm për Turqinë”, tha Milesi-Ferretti duke shtuar se është i natyrshëm ngadalësimi i ekonomisë turke e cila vitin e kaluar me mbështetjen e politikës shënoi rritje me 7.4 për qind.

Në raportin e përditësuar të FMN-së i cili u publikua të hënën janë vënë në dukje edhe pritshmëritë në lidhje me rritjen ekonomike të Turqisë për këtë vit si dhe për vitin 2019.

Ndërsa në një një raport të mëparshëm të publikuar në muajin prill rritjet për Turqinë ishin parashikuar 4.4 për qind në 2018 dhe 4 për qind në 2019.

– “Rritja me rreth 4 për qind një performancë e mirë”

Lidhur me parashikimin për rritjen e Turqisë, Milesi-Ferretti tha se në këtë kanë qenë efektive shtrëngimi i kushteve financiare globale, çmimet në rritje të naftës dhe zhvlerësimi i lirës turke.

“Performanca e rritjes së Turqisë me mbi 7 për qind sigurisht që ishte e jashtëzakonshme, por deficiti i llogarisë korente u zgjerua, inflacioni u rrit. Prandaj, ne parashikuam që rritja jo e qëndrueshme do të ngadalësohet. Rritja prej rreth 4 për qind është një performancë e mirë kur merret parasysh mjedisi i tregut dhe perceptimi ndaj ekonomive të tregut në zhvillim”, thotë Milesi-Ferretti duke bërë të ditur se stabilizimi i rritjes në rreth 4 për qind do të sigurojë mundësi për uljen e inflacionit.

Drejtor i Departamentit të Kërkimeve në FMN, Milesi-Ferretti, shtoi se është e rëndësishme të zvogëlohen dobësitë siç është deficiti i llogarisë korente dhe inflacioni i lartë, ndërkohë që rritja po stabilizohet.