FMN kundër amnistisë fiskale, Balla: Do miratojmë projektligjin

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi se qeveria do të miratojë projektligjin për amnistinë fiskale.

Në një deklaratë për mediat, Balla u shpreh se 2/3 e shqiptarëve janë pro miratimit të amnistisë, duke iu referuar Këshillimit Kombëtar.

Sipas tij, amnistia i shërben ekonomisë së vendit.

“Ajo që besoj se duhet të kuptojmë, është që ne na rezulton nga Këshillimi Kombëtar që më shumë se 2/3 e qytetarëve në Shqipëri e mbështesin një nismë të tillë, e cila synon kalimin e Shqipërisë në një hap tjetër drejt formalizimit.

Amnistia fiskale është një domosdoshmëri që Shqipëria të kalojë në një fazë tjetër të ndarjes nga tranzicioni, i cili ka qenë bashkëshoqëruar në kohë të caktuara me informalitet. Ne do ta miratojmë amnistinë fiskale, dhe çdo deputet e grup i caktuar politik duhet të kuptojë që është një gjë e mirë për ekonominë e vendit, për qytetarët e këtij vendi”, theksoi ai.

Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Yan Sun deklaroi se Shqipëria nuk është ende gati për të bërë amnistinë fiskale.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Tiranë me ministren e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj dhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, Sun u shpreh se projektligji mund të konsiderohet si një dëmtim për moralin tatimor.

Sipas saj, qeveria duhet të ndryshojë projektligjin e amnistisë në një program të vetëdeklarimit vullnetar, dhe për ta bërë këtë duhet të ketë një sistem modern të administratës tatimore.