Erdogan kërcënon Austrinë: Po nxit luftë mes kryqit dhe gjysmëhënës

Pas njoftimit të Austrisë për mbylljen e xhamive Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan paralajmëroi se Turqia do të kundërpërgjigjet.

Presidenti turk lëshoi kritika të ashpra ndaj kancelarit austriak,  Sebastian Kurz pas vendimit të këtij të fundit  për të mbyllur disa xhami në Austri, që sipas tij ishin promovuese të islamit politik.

“Kam frikë se hapat e kancelarit austriak do ta çojnë botën në një kryqëzatë të re,” tha Erdogani në adresë të kancelarit Sebastian Kurz. “Mos mendoni se po e bëtë këtë, ne do të bëjmë sehir? Jo, edhe ne do të ndërmarrim disa hapa”, tha Erdogan.

Deklarata e presidentit turk Erdogan vjen një ditë pas vendimit të qeverisë konservatore të Austrisë për  mbylljen e 7 xhamive që financohen nga Ankaraja dhe deportimin e 60 imamëve që pretendohet se propagandonin “islamin politik”.

“Ata thonë se do t’i dëbojnë imamët tanë nga Austria. Mendoni se nuk do të reagojmë nëse ata e bëjnë këtë gjë?”-tha Presidenti turk, pa dhënë më shumë detaje të mbi qëndrimin që do të mbajë Ankaraja.

Zëdhënës i presidentit turk, Ibrahim Kalin, e quajti  “islamofob” dhe “racist” vendimin e Vjenës. Austria, një vend me 8.8 milionë banorë, numëron rreth 600,000 myslimanë, shumica e të cilëve janë turq ose me origjinë turke. Ankaraja vijon të mbajë tone të larta me Brukselin dhe së fundi edhe me Austrinë për çështjen e emigrantëve dhe diskriminimit fetar. Kjo retorikë favorizon më së shumti presidentin turk Erdogan, në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe problemeve me zhvlerësimin e monedhës vendase.

Kurz: Në Austri “nuk ka vend për shoqëri paralele”

Qeveria konservatore e Austrisë vendosi të premten se do të dëbojë nga vendi deri në 60 imamë dhe do të mbyllë rreth 7 xhami. Kancelari Kurz tha se në Austri “nuk ka vend për shoqëri paralele, islam politik, tendeca radikalizuese.” Ministri austriak i Kulturës, Gernot Blümel deklaroi se do të mbikqyren dhe kontrollohen jo vetëm xhamitë por edhe aktivitetet e “Ujqve Gri”. Kurse ministri i Brendshëm Kickl u dha urdhër autoriteteve për regjistrimin e shoqatave që të raportojnë për paditë e mundshme ndaj shoqatave të afërta me ATIB-in.

Në gjithë Austrinë ka rreth 260 imamë. Po ashtu qeveria njoftoi se do të mbyllë pas një verifikimi xhami të afërta me “Unionin Turk-Islamik për Bashkëpunimin Kulturor dhe Social në Austri” (ATIB). Nga mbyllja preket edhe një xhami e “Ujqve Gri” të ekstremit të djathtë në Vjenë që ra në sy me disa publikime në internet me inskenime luftërash, ku protagonistë ishin fëmijët. ATIB dyshohet se mbështet nacionalizmin turk.

Po ashtu do të mbyllet edhe Bashkësia Kulturore Arabe, e cila ka gjashtë xhami. Bashkësia Kulturore Arabe thotë se ka rreth 1.000 anëtarë, kryesisht nga Egjipti dhe Çeçenia. Arsye për mbylljen janë ndër të tjera, deklaratat salafiste të përfaqësuesve të kësaj bashkësie në një xhami, tha ai. Salafizmi është një rrymë e prapambetur, jashtëzakonisht konservatore e fesë islame. Ithtarët e salafizimit e konsiderojnë veten si mbrojtës të Islamit të pafalsifikuar. Qëllimi i salafistëve është transformimi i plotë i shtetit, sistemit ligjor dhe shoqërisë sipas rregullave të tyre – dhe vendosja e një “teokracie” islamike.