Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, informoi sot se vetëm 20% e ngarkesave me perime në pikat e inspektimit kufitar maqedonas do të mostrohen.
Në përgjigje të disa ankesave të ngritura gjatë diskutimeve të Komitetit Kombëtar për Lehtësimin e Tregtisë, MSHMS bën të ditur se po punohet për zgjidhjen e të gjitha barrierave për eksportin e prodhimeve shqiptare bujqësore dhe të qumështit drejt Maqedonisë.
“Është zgjidhur problemi i marrjes së mostrave për çdo ngarkesë me perime në pikat e inspektimit kufitar maqedonas dhe pritjes për 48 orë të përgjigjes së analizave. U dakortësua që frekuenca e marrjes së mostrave do jetë çdo (pesë) ngarkesa ose vetem 20% e ngarkesave do të mostrohen dhe koha e pritjes se rezultatit te analizave do jetë me pak se 24 orë”, bën të ditur MSHMS.
Në bazë të rezultateve, MSHMS shprehet se kjo frekuencë mostrimi mund të reduktohet akoma më shumë.
Po ashtu është zgjidhur edhe problemi i ndalimit të ngarkesave me produkte jo shtazore për pajisje me një dokument të lëshuar nga AKU.
“Pala maqedonase pranoi ekzistencën e gabimeve nga inspektorë të veçantë dhe përpiluam bashkërisht formën e këtij dokumenti, i cili pas miratimit i është dërguar për zbatim AKU-së. Për këtë kategori produktesh është sqaruar edhe problemi i ri-eksporteve”, thuhet në njoftimin e MSHMS.
Për eksportin e qumështit UHT dhe produkteve me bazë qumështi, ministria informon se aprovimi i stabilimenteve shqiptare do të bëhet nga një komision i krijuar me urdhër të drejtorit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Maqedonisë.
“Për produktet me bazë qumështi që plotësojnë disa kushte të veçanta dhe për të cilat Shqipëria është listuar në listën e vendeve të treta që mund të eksportojnë në BE, por për shkak se nuk ka asnjë stabiliment shqiptar të miratuar nga BE për kryerjen e këtyre eksporteve, në përputhje me legjislacionin kombëtar Maqedonas, aprovimi i stabilimenteve shqiptare që duan të eksportojnë në Maqedoni do të bëhet nga një komision i krijuar me urdhër të drejtorit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Maqedonisë”, thuhet në njoftim.
MSHMS saktësoi edhe tarifat për eksportet e prodhimeve peshkore në drejtim të BE.
“Bazuar në Aneksin III te MSA, Shqipëria ka kuota eksporti pa doganë ose me doganë të reduktuar. Tarifat doganore shkojnë nga 8 -9% deri 12% për troftën, 8% për krapin, 15% për Dentalin (dentex dentex) dhe gjelat (Pagellus spp), 15 për levrekun, 12.5% për sardelen e përpunuar (mbi sasinë 100 ton e cila e ka 6%) dhe 25% mbi sasinë 1600 ton të acugeve”, theksoi Qato.
Gjithashtu të gjitha produktet 1604 të peshkimit kanë tarifa që shkojnë nga 12.5 – 25% (të cilat janë reduktuar tashme me 50%).
Për të gjitha këto produkte, sipas ministrisë, nevojitet të negociohet që tarifat të bëhen 0%.
“Trofta, krapi janë edhe produkte të akuakulturës dhe tarifat doganore përfshijnë si peshkun e gjallë deri te mielli i peshkut, pra në çdo formë që prezantohet. Kjo ka penguar intensifikimin e akuakulturës për këto produkte ku Shqipëria ka dhe ka patur një traditë të rëndësishme në akuakulturë”, thuhet në njoftimin e ministrisë, raporton ATA.
Në lidhje me acuget dhe sardelet, sipas ministrisë, janë dhënë argumente pa fund dhe gjithësecili e di rëndësinë e liberalizimit të kuotave në drejtim të shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese ekzistuese si dhe rritjen e punësimit në përpunimin e peshkut.