Egjipti riarreston gazetarin e Al Jazeera

Vetëm disa ditë pas urdhrit për lirimin e tij, prokuroria ka caktuar arrest të ri në kohëzgjatje prej 15 ditësh për Mahmoud Hussein, i cili fillimisht u arrestua në vitin 2016 pasi u kthye në Egjipt nga Katari

Autoritetet egjiptiane kanë vendosur të nisin një hetim të ri dhe të riarrestojnë gazetarin e Al Jazeera për të cilin një gjykatë vendosi lirimin e tij javën e kaluar pas dy vitesh e gjysmë i privuar nga liria, transmeton Anadolu Agency (AA).

Lirimi i Mahmoud Hussein u inicua të shtunën, ndërsa ai u dërgua në stacionin e policisë në Giza për lirim nga burgu Tora, tha familja e tij në një deklaratë.

Gjatë procesit, Prokuroria e Sigurisë Shtetërore e ka intervistuar atë në lidhje me një rast të ri dhe i ka caktuar arrestim 15-ditor, përkundër urdhrit për lirimin e tij më 21 maj.

Familja Hussein nuk ka zbuluar informacione mbi akuzat kundër tij dhe njoftoi se ai është kthyer në burg.

“Në mes të procesimit për lirimin e tij, gazetari i Al Jazeera Mahmoud Hussein është kthyer në burg në Egjipt në rrethana të paqarta”, tha Al Jazeera në faqen e saj të internetit.

Më 23 maj, Gjykata Penale e Kajros hodhi poshtë një ankesë të parashtruar nga prokurorët kundër lirimit të Husseinit, raporton Anadolu Agency.

Hussein u arrestua në fund të vitit 2016, pasi u kthye në shtëpinë e tij në Egjipt nga Katari.

Autoritetet e kanë akuzuar atë për “pjesëmarrje në grup të jashtëligjshëm” dhe “përhapje të lajmeve të rreme që synojnë destabilizimin e vendit”.

Al-Jazeera u ndalua zyrtarisht në Egjipt pas puçit ushtarak të vitit 2013 kundër Mohamed Morsit, presidentit të parë të vendit të zgjedhur në mënyrë demokratike.