Edi Paloka: As i nxisim dhe as i ndalojmë qytetarët në protestë

Deputeti i Partisë Demokratike Edi Paloka, deklaroi se nuk do të ketë asnjë nxitje nga ana e opozitës ndaj protestuesve në 16 Shkurt, por as nuk do të ndalohen të protestojnë sipas mënyrës së tyre.

Deputeti i Partisë Demokratike Edi Paloka i pranishëm në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan deklaroi se nuk do të ketë asnjë nxitje nga ana e opozitës ndaj protestuesve në 16 Shkurt, por as nuk do të ndalohen të protestojnë sipas mënyrës së tyre.

“As nuk nxisim dhe as i ndalojmë qytetarët në protestë, ata kanë të drejtë ta marrin situatën në dorë. Le të guxojë dikush ti  dalë përpara qytetarëve, ne nuk jemi Edi Rama që të përsëritet  21 Janari”.

Ndërsa lidhur me situatën që u krijua sot në Kuvend (14 Shkurt) ku Paloka hodhi një shiringë me bojë ndaj kryeministrit, Edi Rama ç’ka shkaktoi debate të shumta në Parlament, ai tha se e kishte mirëmenduar.

“Ka qenë bojë shkrimi, dhe çdo veprim i imi ka qenë i menduar, dhe me ndihmën e Zoti që ja hodha tamam në gojën e qelbur, se një kryeministër fyen deputetë, gazetarë, popullin e tij çdo ditë”.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu nëse është etike apo jo Paloka, e quajti një akt të civilizuar dhe i gjithë veprimi i tij ka qenë i mirëmenduar.

“E kam menduar shumë mirë dhe ky akt është shumë me etik, është një akt i civilizuar, se ajo që thotë ai kryeministri gojë qelbur. Ajo që ndodhi sot kryesorja është reagimi. Ne nuk jemi skllevër. Në Mirditë, pa pikë trupi ju tregoi mirditorëve përralla”.

Ndërsa pyetjes nëse ishte hedhja e bojës një gjest trimërie për protestuesit e 16 Shkurtit, deputeti demokrat tha se nuk ka ngelur trimëria ta bëjë ai.

“Trimërimi nuk ngelet tek unë, ishte ai studenti i Vlorës, ai tjetri që e ka gjuajtur me këpucë dhe ai djali ka përfunduar në burg. Akti ishte simbolik për t’ju treguar atyre që janë në dhunën dhe arrogancën e këtij kryeministri. Është një akt që e kam menduar shuam gjatë dhe e arrita atë qëllim”.

Sipas Palokës skena që  ai bëri sot në Kuvend është mëse normale, krahasuar me ngjarjet që po ndodhin në Shqipëri.

“Ju diskutoni për skena normale në një vend ku ndodhin krime makabrë, grabitet shqiptari përditë. Është një akt që e kam menduar shumë gjatë dhe e arrita atë qëllim. Ky është kryeministër arrogant”, tha Paloka.