Çmimet e banesave në Shqipëri u rritën me 40 për qind brenda vitit

Çmimet e banesave në Bashkimin Europian janë rritur me vetëm 1.7 për qind në krahasim me vitin e kaluar, pavarësisht shtrenjtimit të lëndëve të para dhe krizës së energjisë.

Në Shqipëri, nga viti në vit çmimet në të njëjtin sektor u rritën me 39 për qind në të gjithë vendin dhe 40 për qind vetëm në Tiranë.

Çmimet e qirave në BE u rritën me 18 për qind nga viti në vit. Në Tiranë, rritja nga raportimet e agjencive imobilare, rritja ka qenë 30 deri në 50 për qind në varësi të zonave. Në krahasim me 2019, çmimet e qirasë thuajse janë dyfishuar.

Vendet e BE që raportojnë rritjen më të lartë janë ato balltike, të varura direkte nga lëndët e para nga Rusia dhe Ukrainë, ndërsa Italia, Greqia dhe Qipro raportuan rënie si të çmimeve për banesat, ashtu edhe për qiratë.

Arsyeja lidhet me rënien e kërkesës. Në shumë vende të unionit, kriza e çmimeve ka reduktuar kërkesën për blerjen e banesave. Në Shqipëri, ndërtuesit kanë raportuar edhe për këtë vit kërkesë në rritje.

Kjo u pa edhe në anketën e shtatorit të INSTAT për treguesit e ndjesisë ekonomike. Sipas anketës, treguesi i besimit mes ndërtuesve ra me mbi 5 për qind. Megjithatë, ndërtuesit ishin optimistë sa u takon kontratë-porosive për shitjen e banesave.