Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë KAS, ka lënë në fuqi vendimin e komisionit të Disiplinës dhe atij të Apelit në UEFA, për të përjashtuar me 10 vite klubin e Skënderbeut nga kompeticionet europiane. Është hedhur poshtë nga KAS kërkesa e Skënderbeut për të marrë pjesë në këtë edicion të Uefa Champions League.
Vendin e korçarëve në këtë kompeticion do ta marrë Kukësi, ndërsa Partizanit do të marrë pjesë në turin e parë kualifikues të Champions League.
Jo vetëm përjashtim nga aktivitetet europiane, por edhe gjobë për kampionët e Shqipërisë, të cilët veç mungesës së të ardhurave duhet të paguajë edhe faturën prej 1 milionë euro.
Megjithatë çështja e klubit korçar do të gjykohet me detaje nga KAS gjatë muajve në vazhdim, me gjykatën e arbitrazhit sportiv që do të japë një vendim përfundimtar pas disa muajsh.
Merr fund në mënyrën më të keqe ëndrra e kampionëve të Shqipërisë për të luajtur në kualifikueset e Champions League.
Nëse Skënderbeu do të fitojë çështjen në KAS pas disa muajsh atëherë UEFA do të duhet të dëmshpërblejë klubin korçar me të njëjtën vlerë monetare që arkëton fituesja e Champions League.