Komisionerja e Bashkimit Evropian(BE) për Tregti, Cecilia Malmstrom, thotë se tarifat e Unionit kanë vënë në shënjestër disa importe ikonike amerikane, siç janë motoçikletat Harley-Davidson dhe pija alkoolike Bourbon, ku synojnë të “krijojnë zhurmë”, në debatin mbi tregtinë, me shpresë se një gjë e tillë do të ushtrojë një presion mbi zyrtarët amerikanë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Bashkimi Evropian (BE) njoftoi se nga e premtja do të fillojë zbatimin e tarifave për importet amerikane, që kapin vlerën prej 3.4 miliardë dollarë, si një kundërpërgjigje ndaj vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për vendosjen e tarifave mbi aluminin dhe çelikun evropian.
Në një intervistë në Zelandë të Re të enjten, ku ka udhëtuar për të promovuar bisedimet mbi marrëveshjen për tregti të lirë, Malmstrom tha se BE-ja nuk do të hedhë çelikun në kosh plehrash. Ajo tha se çeliku evropian është i një cilësie të lartë, i nevojshëm për SHBA-të, dhe jo një kërcënim për sigurinë kombëtare të Amerikës, ashtu siç pretendon Trump.
Sipas Malmstrom, nëse ata nuk mund t’i bindin SHBA-të, ndoshta bizneset amerikane dhe konsumatorët do ta bëjnë një gjë të tillë.