Është festuar sot festa e Liqenit të Shkodrës, liqen ky që është edhe më i madhi në Ballkan dhe me vlera të mëdha për ekosistemin natyror.
Festa e Liqenit organizohet çdo vit nga Bashkia e Shkodrës dhe synon promovimin e vlerave natyrore, ekonomike dhe turistike të liqenit si dhe nevojën për mbrojtjen e këtyre vlerave.
Festa tradicionale që shënon hapjen e sezonit turistik në Shirokë, pak metra larg qytetit të Shkodrës, ka sjellë një atmosferë të ngrohtë, që nisi me grupet artistike dhe më pas edhe me garat e nxënësve të shkollave në sportet ujore.
Risi këtë vit ishte prania e motorristëve “Shqiponjat e Rrugës” të cilët përformuan për të pranishmit.
Aktivitetin e përshëndeti Kryebashkiakja Voltana Ademi e cila bëri të ditur se shumë shpejt BE do të financojë në rivitalizimin e liqenit të Shkodrës me një fond fillestar prej 12 milion eurosh.
Synimi i përkujtimit të kësaj dite është nxitja e menaxhimit të qëndrueshëm të ekosistemit të këtij Liqeni, që vlerësohet si më i madhi në Ballkan.
Bashkia Shkodër me shumë përpjekje është përfshirë në projektin që BE do të financojë për rikualifikimin dhe mbështetjen ndaj turizmit në veriun e Shqipërisë.