Ivan Duque i partisë së djathtë Qendra Demokratike ka fituar zgjedhjet dje në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Kolumbi.
Duque tani është zgjedhur si shef i ri i shtetit për periudhën e ardhshme katër-vjeçare, përkatësisht për vitet 2018-2022.
Sipas të dhënave të lëshuara nga Regjistri Kombëtar i Kolumbisë, nga gjithsej 99,45 për qind të votave të numëruara Duque ka grumbulluar 53,95 për qind të votave (më shumë se 10.3 milionë vota).
Rivali i tij, majtisti Gustavo Petro nga Lëvizja Humana e Kolumbisë, mori 41,83 për qind të votave.
Duque po ashtu është bërë presidenti më i ri në moshë i zgjedhur në historinë kolumbiane.
Presidenti i sapozgjedhur gjatë fushatës së tij tha se si një mënyrë për të nxitur rritjen ekonomike në vend, ndërmarrjet private duhet të promovohen, ndërsa sistemi i taksave duhet të rregullohet në mënyrë që ndërmarrjet e vogla të bëhen persona juridikë.
Gjatë mandatit të tij, ai po ashtu premtoi se evazioni fiskal dhe tatimi mbi vlerën e shtuar do të reduktohet për 50 për qind.
Në marrëveshjen e paqes së nënshkruar midis administratës së presidentit që po largohet Juan Manuel Santos dhe rebelëve të FARC-ut, në nëntor të vitit 2016, Duque tha se udhëheqësit e FARC-ut duhet të dërgohen në burg dhe të humbasin të gjitha përfitimet që ata fituan nga Legjislacioni Special i Drejtësisë për Paqe.
Gjatë debateve presidenciale, Duque theksoi se ai “nuk do të lejojë që Kolumbia të kthehet në një Venezuelë të dytë”, një vend që po vuan nga një krizë e fortë socio-ekonomike, e cila ka çuar në një hiperinflacion prej 2.666 për qind dhe ka detyruar mbi dy milionë njerëz të emigrojnë.
Premtimi se Kolumbia do të marrë një rrugë ndryshe nga Venezuela ishte një nga pikat kryesore të reklamimit të tij.
“Me modesti dhe nder, i them popullit kolumbian se me gjithë energjitë e mia do të punoj për të bashkuar shtetin tonë. Jo më ndarje”, u ka thënë ai mbështetësve të tij në kryeqytetin Bogota.
Duque po ashtu ka thënë se dëshiron të shohë ndryshime për të prezantuar “përmirësime” të marrëveshjes historike për paqe të arritur me grupin rebel të Forcave të Armatosura të Kolumbisë.
Marrëveshja, e nënshkruar më 2016 për t’i dhënë fund luftës 50 vjeçare në mes të rebelëve dhe forcave qeveritare, u ka garantuar rebelëve ulëse në parlament si dhe mundësinë për të kontestuar zgjedhjet.
Duque po ashtu ka premtuar luftim të korrupsionit, derisa rritjen e prodhimit të kokainës, e ka cilësuar kërcënim për sigurinë e shtetit latino-amerikan.
Kumbari i tij politik, ish-presidenti Alvaro Uribe Velez, fitoi zgjedhjet presidenciale në vitet 2002 dhe 2006 në raundin e parë.
Deri tani, i vetmi post politik i rëndësishëm që Duque ka ushtruar ishte ai i senatorit, pasi fitoi një stol gjatë zgjedhjeve të vitit 2014, i mbështetur nga Uribe Velez.