Në një koment për Ballkanin Perëndimor, dy eurodeputetët Hannes Swoboda dhe Maria Eleni Koppa shprehin fuqimisht mbështetjen e tyre për integrimin e këtij rajoni në Bashkimin Europian, duke thënë se hapi i rëndësishëm dhe i guximshëm duhet të hidhet nga vetë Unioni i pari.
Swoboda dhe Koppa kanë një propozim me tre hapa si një kornizë për një afrim të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.
E para është krijimi i një komiteti sigurie mes BE dhe Ballkanit Perëndimor. “Ajo që nevojitet është një kuadër efikas bashkëpunimi institucional për çështjet e sigurisë në formën e një komuniteti të sigurisë BE-Ballkan. Kjo përfundimisht duhet të çojë në një komiteti të sigurisë”.
Hapi i dytë sipas dy eurodeputetëve është pjesëmarrja në fondet strukturore, që aktualisht janë vetëm për vendet e BE-së. “Masa e parë do të ishte të kthehej Procesi i Berlinit në një proces të BE-së, një proces komunitar i Bashkimit dhe ta integrojë atë në strategjinë e para-pranimit, me një rol të veçantë për Komisionin Evropian. Kjo do të ishte një qasje që kërkon të adresojë çështjet ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe mund të jetë një nxitës i bashkëpunimit ekonomik rajonal, rritjes dhe qëndrueshmërisë. Fondet strukturore – aktualisht të rezervuara vetëm për shtetet anëtare – duhet të hapen për vendet kandidate në këtë kuadër”, thonë ata.
“Hapja e negociatave duhet të jetë parakushti bazë, por pjesëmarrja në fondet strukturore duhet të jetë gjithashtu e kushtëzuar nga progres i prekshëm në fushën e sundimit të ligjit dhe fusha të tjera specifike, si bashkëpunimi i ngushtë rajonal”, thuhet më tej në propozimin e tyre.
Hapi i tretë i propozimit të tyre është statusi i vëzhguesit në mbledhjet e Këshillit. “Pas mbylljes së kapitujve 23 dhe 24, vendet kandidate mund të marrin statusin e vëzhguesit në mbledhjet formale dhe informale të Këshillit, veçanërisht në fushat e drejtësisë, çështjeve të brendshme, politikës së jashtme, të mbrojtjes, energjisë dhe politikës sociale”, propozojnë Swoboda dhe Koppa, raporton “Top Channel”.
Ata janë të mendimit se procedurat e gjata të deritanishme krijojnë një zhgënjim pasi sipas tyre, nuk ofrojnë asnjë perspektivë reale apo rezultate të prekshme.