Mullah Fazlullah, lideri i Talebanëve të Pakistanit, është vrarë në një sulm amerikan me dron në provincën verilindore afgane Kunar, njoftuan autoritetet e Afganistanit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Fazlullah është vrarë në rajonin Marawara pranë kufirit me Pakistanin së bashku me dy anëtarë të tjerë të organizatës në orët e mëngjesit të enjten, njoftoi për Associated Press Muhamed Radmanish, zëdhënës i Ministrisë afgane të Mbrojtjes.
Ndërkaq, Komanda e Forcave Amerikane në Afganistan më hërët ka njoftuar se ushtarët amerikanë të enjten kanë realizuar një “sulm kundërterrorist” në rajonin kufitar, duke “qëlluar një lider të lartë të organizatës terroriste”.
Në deklaratën e forcave amerikane në Afganistan nuk ishte njoftuar nëse bëhet fjalë për Fazlullah.