250 vende të reja pune në një kombinat të ri përpunimi peshku në Përrenjas

Kompania “Rozafa”, emri shqiptar i mirënjohur në industrinë e përpunimit dhe tregtimit të peshkut, do të zgjerojë aktivitetin e saj me tri fabrika të reja në zonën e Përrenjasit.

Kompania “Rozafa”, emri shqiptar i mirënjohur në industrinë e përpunimit dhe tregtimit të peshkut, do të zgjerojë aktivitetin e saj me tri fabrika të reja në zonën e Përrenjasit.

Investimi, i cili është mirëpritur nga banorët e zonës, do të mundësojë punësimin e 100 personave vetëm në fabrikën e parë, e cila sipas parashikimeve të sipërmarrësit Gjergj Luca do të fillojë nga puna brenda një muaji.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Përrenjas në zonën, ku projekti i ri sapo ka nisur të zbatohet. Sipërmarrësi tregon se investimi që ai parashikon për çdo punonjës është 10 mijë euro dhe numri i të punësuarve me hapjen e dy fabrikave të tjera do të shkojë në 250.

“Këtu do të bëhet fabrika e parë. Ne do të provojmë se si do të na presë zona. Do të vazhdojmë me të dytën dhe të tretën. Bëhet fjalë për fabrikën e parë do të punësojmë rreth 100 vetë. Është një investim rreth 10 mijë euro për punonjës, pasi ne në industrinë e peshkut na shkojnë 10 mijë euro për punëtor dhe mendojmë që zona po na pret jashtëzakonisht mirë. Do të vazhdojmë me fabrikën e dytë dhe me fabrikë e tretë do të shkojë me 250 punëtorë”, – shprehet Luca, raporton ATA.

Deputeti i zonës, Taulant Balla tha se investimi nuk do të ndalet këtu. Një tjetër fabrikë, me tre njësi: tharje, ngrirje dhe marinim, do të hapet në Gramsh, ku do të punësohen 250 persona dhe ku po kultivohet edhe një lloj i veçantë peshku pastrues.

Vetë banorët e zonës ku investimi i ri po jetësohet, shprehen të kënaqur me mundësitë që po ofrohen për ta. “Këta janë të vetmit banorë që nuk e kanë tradhtuar këtë vend”, tregon sipërmarrësi Luca, i cili është angazhuar personalisht për punësimin e disave prej tyre, me gjendjen më të vështirë ekonomike. “Shtëpinë do ia rindërtojmë të re. Gruan me gjithë burrin do t’i punësojmë këtu”, tregon ai, për një nga familjet e zonës.

Ndërsa deputeti Taulant Balla shprehet se për nga potenciali që ofron mjedisi ku shtrihet investimi, në të ardhmen parashikohet ndërtimi i një agroturizmi. “Nga hapësira që keni këtu, në të ardhmen do të jetë dhe një agroturizëm. Sot nga Maqedonia po vijnë në Elbasan”, – shprehet ai.

https://www.facebook.com/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/398213597631024/