Është zbardhur projektligji që synon transferimin e një pjese të të ardhurave nga tarifa e aparatit televiziv drejt televizioneve private.
Akti që është i paprecedentë, vendos kushte favorizimi financiar për operatorë privatë duke e bërë këtë me para publike.
Sipas projektvendimit që sugjeron amendim të ligjit “Për mediat audiovizive” parashikohet krijimi i Fondit të Transmetimit që do të ndajë paranë e dhënë nga qytetarët në masën 70$% për RTSh-në dhe pjesën tjetër për operatorët privatë.
Siç mund të merret me mend pritet që tarifa aktuale prej 100 lekësh(të reja) do të rritet, pasi në këtë shifër, përfitimi mbetet i papërfillshëm.
Do të jetë Autoritetei i Medias Audiovizive ai që do të shpërndajë fondin për privatët duke i bazuar në përqindjen e faturimit të shitjes së reklamës gjatë vitit paraardhës. Një biznes me paratë publike.
Rritja e tarifës
Aktualisht, çdo familje dhe biznes paguan 100 lekë në muaj—1200 lekë, ose rreth 8,7 euro në vit—si tarifë për sinjalin e transmetimit televiziv publik. Kjo tarifë faturohet dhe mblidhet përmes OSSHEE-së, së bashku me faturimin e energjisë elektrike për çdo familje ose biznes.
Në total, nga tarifa mblidhen rreth 11 milionë euro të cilat i shkojnë RTSH-së. Përveç kësaj shume, RTSH merr çdo vit edhe rreth 6,5 milionë euro nga buxheti i shtetit. Së bashku me të ardhurat e siguruara nga vetë institucioni përmes pagesa të ndryshme, përfshi reklamën, buxheti vjetor i RTSH-së arrin në rreth 20 milionë euro.
Në raportin vjetor për vitin 2017, dërguar në Kuvend nga RTSH, pohohet se “shpenzimet e RTSH për digjitalizimin dhe transmetimet… gllabërojnë pothuajse gjithë shumën që mblidhet nga tarifa”. Ndaj, për të siguruar financimin e dixhitalizmit dhe shpenzime të tjera operacionale, TVSH kërkon “një rritje graduale të taksës së aparatit që mund të mbulojë një pjesë të madhe të kostos së dixhitalizimit”.
Në fakt, RTSH propozon një rritje prej 50 për qind të tarifës:
“Edhe një rritje prej 50 për qind [e taksës] mbi nivelin aktual do të ishte e mjaftueshme për të mbuluar, për shembull, pagesat vjetore për Deutsche Bank. (RTSH ka marrë kredi nga DB për dixhitalizimin.)
…Një rritje domethënëse e taksës duket e domosdoshme për të siguruar nivelin e duhur të financimit të RTSH-së për funksionim normal. Veç kësaj, mund të ketë nevojë për kontribute shtesë nga buxheti i shtetit në 3-4 vitet në vazhdim për të përballuar pjesën më të madhe të kostos së dixhitalizimit”.
Pra, me rritjen nga 1200 lekë në 1800 lekë për familje e biznes në vit të taksës për televizionin, RTSH kërkon të përfitojë dhe 5-6 milionë euro më shumë nga taksapaguesit shqiptarë.