Tatimet kërkojnë 15% e taksës së qirasë, pritet rritja e çmimeve

Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve ka njoftuar të gjithë individët që shfrytëzojnë shtëpitë apo apartamente për t’i dhënë me qira, të deklarojnë të ardhurat e përfituara prej tyre.

Të gjitha familjet në zonat turistike të vendit që japin apartamente apo banesa me qira duhet t’i deklarojnë tek tatimet dhe të paguajnë taksën 15%.

Në kuadër të fushatës kundër informalitetit në turizëm Drejtoria e përgjithshme e tatimeve u ka bërë thirrje individëve që japin mjedise me qira të zbatojnë vullnetarisht ligjin, në të kundërt do të jenë subjekt I masave ndëshkuese.

Sipas udhëzimit të Ministrisë së Financave, qytetarët që japin banesa me qira janë të detyruar të deklarojnë dhe të paguajnë tatimin në masën 15% të të ardhurave. Kjo pagesë duhet të kryhet tek tatimet jo më vonë se data 20 e muajit që pason kohën kur është arkëtuar qiraja.

Sipas ligjit në fuqi, personat që fitojnë të ardhura nga qiratë duhet të paraqiten vetë pranë drejtorive rajonale të tatimeve për t’u regjistruar për këtë përgjegjësi tatimore.

Sipas Tatimeve, ata persona të cilët nuk do të bëjnë deklarimin do të përballen me masa ndëshkuese sipas ligjeve në fuqi, fillimisht me gjobë dhe në rast të përsëritur do të kallëzohen penalisht për evazion fiskal.

Analiza e riskut në administratën tatimore e ka nxjerrë turizmin si një nga sektorët me informalitetin më të lartë në vend.

Pak ditë më parë, tatimet i kanë bërë thirrje edhe bizneseve të kësaj fushe, si hotelet apo baret dhe restorantet që të vetëdeklarojnë detyrimet tatimore, në të kundërt do të jenë subjekt i kontrolleve të hollësishme nga inspektorët e tatimeve.

Më poshtë njoftimi i plotë:

Për një ecuri sa më pozitive të sezonit turistik, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në kuadër edhe të masave që po zbaton, dëshiron t’ju bëjë me dije të gjithë atyre individëve, të cilët zotërojnë asete të tilla, si shtëpi apo apartamente dhe i ofrojnë me qira, të shfrytëzojnë të drejtën për të përfituar të ardhura të ligjshme.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ju kujton, se në zbatim të ligjit nr.8438 datë 28.121998 “Për Tatimin mbi të Ardhurat” neni 8 dhe 9, këto të ardhura janë të tatueshme me shkallë tatimore 15%.

Gjithashtu, bazuar në pikën 2.6.4, të Udhëzimit të Ministrit të Financave, për të ardhura të paguara nga persona, të cilët nuk mund të bëjnë mbajtjen e Tatimit mbi Burim për llogari të organeve tatimore shqiptare, përfituesi i të ardhurave është i detyruar të deklarojë dhe të paguajë tatimin në masën 15% të të ardhurave, të realizuara jo më vonë se data 20 e muajit që pason kohën kur është kryer pagesa. Personat duhet të paraqiten pranë drejtorive tatimore përkatëse rajonale për t’u regjistruar për këtë përgjegjësi tatimore.

Administrata Tatimore, nxit përmbushjen vullnetare dhe me korrektësi të detyrimeve tatimore, si për tatimpaguesit, ashtu edhe për individët. Ajo ju siguron se do të ndërmarrë të gjitha masat, jo vetëm për mbledhjen e të ardhurave, por edhe për të lehtësuar realizimin e detyrimeve ligjore.