Rritet numri i denoncimeve për aferat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Teksa komisioni i vetingut po jep rezultatet, nga dita në ditë mësohet se ndihmë shumë të madhe po japin edhe vetë qytetarët, të cilët kanë qenë pjesë e gjyqeve apo hetimeve të prokurorisë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka bërë publike në faqen e tij zyrtare bilancin 8 mujor të denoncimeve dhe rezulton se janë plot 1188 ankesa nga qytetarët në adresë të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Kështu, në njoftim thuhet se për muajin janar janë bërë 187 denoncime, ndërsa për muajin shkurt 134 nga qytetarët të ndryshëm në adresë të gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Për efekt transparence, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit bën publik dhe përditëson periodikisht online regjistrin e denoncimeve me qëllim njoftimin e publikut lidhur me numrin e denoncimeve të paraqitura. Regjistri i publikuar në faqen zyrtare të institucionit mban vetëm të dhëna numerike, duke qenë se të drejtat dhe interesat e denoncuesit mbrohen sipas parashikimeve të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” dhe ligjit nr. 60/2016 “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, për efekt të sigurisë së tyre. Janar 187 Shkurt 134; Mars 115; Prill 146; Maj 171”, thuhet në njoftimin e KPK-së.
Lista prioritare
Interesant është fakti se shumica e denoncimeve të qytetarëve, që janë bërë pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, janë në adresë të listës prioritare, e cila është duke kaluar në filtrat e procesit të vetingut. Lisat me emrat prioritarë që i janë nënshtruar apo po i nënshtrohen procesit të vetingut ka në përbërje gjyqtarët dhe prokurorë të rëndësishëm. Ndërkohë që mësohet se për secilin nga këta, ka nga 5 deri në 6 denoncime nga ana e qytetarëve.
Madje, denoncimet e qytetarëve kundrejt gjyqtarëve dhe prokurorëve janë raportuar nga ana e KPK-së gjatë seancave të ndryshme dëgjimore, duke shtuar se ankesat kanë qenë për gjithë trupën gjyqësore dhe jo për individin. Por megjithatë, mësohet se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk i ka marrë të gjitha denoncimet për bazë, pasi provat e paraqitura nga qytetarët, nuk janë shoqëruar me foto, video apo fakte kompromentuese ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.
KPK thirrje qytetarëve: Denonconi
Po ashtu, në njoftimin e tij, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u ka bërë thirrje qytetarëve që të vijojnë me denoncimet ndaj njerëzve të drejtësisë, duke i ftuar që të plotësojnë formularin e vënë në dispozicion pranë zyrave të organeve të vetingut. Madje, Komisioni i Kualifikimit u bëri thirrje qytetarëve që për çdo pretendim, duhet të paraqesin prova të qenësishme si fotografi, apo edhe dokumente të tjera. “Ligji nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në nenin 53 të tij, parashikon se:
“Çdo person që vjen në dijeni të fakteve ose rrethanave që mund të përbëjnë prova në lidhje me kriteret e rivlerësimit ka të drejtë të informojë drejtpërdrejt institucionet e rivlerësimit…” dhe për këtë arsye, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mban regjistrin e denoncimeve. Në këtë regjistër mbahen të dhëna lidhur me numrin e denoncimeve, të dhënat e denoncuesit dhe subjektin e rivlerësimit për të cilin bëhet denoncimi”, thuhet në njoftimin e KPK-së.