Pa Christian Panuccin, Shqipëria funksionon. Me Ervin Bulkun dhe Sulejman Memën në stol kuqezinjtë morën fitoren e parë në këto eliminatore pasi triumfuan 0-3 në transfertë ndaj modestëve të Andorras. Në ndeshjen e tij të parë por me shumë gjasa edhe të fundit si trajner i Shqipërisë, Ervin Bulku bëri 5 ndryshime krahasuar me formacionin që hodhi në fushë nga minuta e parë Christian Panucci në ndeshjen ndaj Turqisë dhe ia doli ta niste me këmbën e mbarë eksperiencën e tij si trajner.
Para 17 vjetësh pikërisht në një ndeshje ndaj Andorras, Shqipëria drejtohej për herë të fundit nga një trajner shqiptar, pikërisht nga Sulejman Demollari, ndërkohë që 17-vjet më pas një tjetër trajner shqiptar Ervin Bulku i ndihmuar edhe nga Sulejman Mema riktheu qetësinë në një ambient të trazuar nga ecuria e dobët në Nations League, humbja ndaj Turqisë dhe shkarkimi i Panuccit. Nisi me një Shqipëri shumë sulmuese ndeshja me Uzunin që për pak sa nuk shënoi që në sekondat e para, por goditja e tij pas asistit të Grezdës u ndal nga traversa.
Në minutën e 2-të, arbitri i mohoi një penallti të pastër Grezdës, gjithsesi Shqipëria nuk u demoralizua dhe në minutën e 21-të, Sadiku përfitoi nga një gabim i portierit Gomes të Andorrës që nuk e largoi mirë topin, me bomberin elbasanas që i vodhi kohën kapitenit të Andorrës duke e dërguar topin me mjeshtëri në portën e boshatisur.
Ky ishte goli i parë i Shqipërisë në një ndeshje zyrtare pas plot 4 takimesh pa gol dhe i 12-ti i Sadikut me fanellën e kombëtares me këtë të fundit që kaloi Hamdi Salihin në listën e golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave.Në pjesën e parë mundësinë ideale për të dyfishuar shifrat e kishte Taulant Xhaka që me portën e boshatisur bëri të pabesueshmen duke gabuar nga shumë pranë.
Në pjesën e dytë luhet e njëjta simfoni si në pjesën e parë. Shqipëria ka më shumë iniciativë, ndërsa vendasit janë të brishtë. Rastet nuk mungojnë nga tanët, por nuk arrijnë të konkretizohen. Atëherë kur mendohej se gjithçka do të mbyllej me një fitore minimale, është Bekim Balaj që zhbllokohet duke gjetur golin në minutën e 88′.
Shqipëria vazhdon me presionin në portën kundërshtare dhe në minutën e 90’+6′ shënojmë me anë të Abrashit. Një gol i veçantë, pasi mesfushori shtatshkurtri shënon me kokë.
https://streamable.com/rfbjg