Zyrat e reja të kartave ID në Nj. 5, Veliaj: Zhdukëm radhët

Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe kompaninë “Aleat” hapën zyrat e reja për aplikimin për mjetet biometrike të identifikimit në Njësinë numër 5, një nga më të mëdhatë e kryeqytetit. Në këtë mënyrë, qytetarët e kësaj njësie në kryeqytet nuk do të duhet të presin në radhë për t’u pajisur me letërnjoftimet e reja.

Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe kompaninë “Aleat” hapën zyrat e reja për aplikimin për mjetet biometrike të identifikimit në Njësinë numër 5, një nga më të mëdhatë e kryeqytetit. Në këtë mënyrë, qytetarët e kësaj njësie në kryeqytet nuk do të duhet të presin në radhë për t’u pajisur me letërnjoftimet e reja.

Kryebashkiaku Erion Veliaj, i shoqëruar nga ministrat Sandër Lleshaj dhe Pandeli Majko, si dhe nga drejtori ekzekutiv i “Aleat”, Jean Alain Jouan, panë nga afër mjediset e reja, të cilat trefishojnë kapacitetet e shërbimit ndaj qytetarëve.

“Jam shumë i lumtur sot që bashkë me dy ministrat hapim një njësi të dedikuar të Aleatit për kartat e identitetit dhe pasaportat, për atë që ndoshta është qyteti i dytë më i madh pas Tiranës, Njësia 5. Njësia 5 ka kaluar nga 3 sportele në 8 sportele, pra thuajse kemi trefishuar qasjen për të gjithë qytetarët që marrin shërbim në 4-5 minuta”, tha Veliaj.

Falë hapjes së zyrave të reja, jo vetëm që janë zhdukur radhët e gjata, por ato do t’iu vijnë në ndihmë edhe banorëve të zonave rurale, që dikur kanë qenë ish-komuna. Për të lehtësuar shërbimin ndaj banorëve të këtyre zonave, shërbimet e zonave të ndryshme janë grupuar nëpër qendrat administrative më të afërta.

Ministri i Brendshëm Lleshaj vlerësoi punën dhe bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës për të afruar shërbimet cilësore më pranë qytetarëve. Lleshaj nënvizoi se puna e bërë në kryeqytet është një model i shkëlqyer për t’u aplikuar edhe në bashkitë e tjera të vendit.

“Ne japim karta europiane, por kartat europiane duhet të jepen në kushte europiane. Kam ardhur këtu për të falënderuar edhe kryetarin e Bashkisë për punën model që po zhvillohet nga Bashkia e Tiranës, si dhe për të ftuar të gjithë kryetarët e bashkive të tjera që të arrijnë te ky model. Motoja do të jetë ‘Afrojmë zyrat te qytetarët dhe jo qytetarët te zyrat’. Duam të arrijmë në të gjitha skajet e Shqipërisë me zyra të këtyre standardeve, me qëllim që qytetarët të marrin shërbim europian”, tha ai, duke kujtuar edhe zgjatjen e afatit për aplikimet për karta identiteti apo pasaporta të personave të parë që aplikuan rreth 10 vite më parë, se është bërë pikërisht me synimin për të shmangur radhët, raporton Top Channel.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko u shpreh se falë këtij investimi është hedhur një hap i rëndësishëm për të tejkaluar emergjencën fillestare për aplikimet për letërnjoftime.

“Me këtë zyrë kemi përmbyllur situatën emergjente që kemi patur në Njësinë 5 dhe me hapjen e dy qendrave. Besoj se qytetarët e kanë kuptuar shumë qartë që kompania ‘Aleat’ është kthyer në një aleat të vërtetë të interesave të tyre. Falë bashkëpunimit me kompaninë, me ministrin e Brendshëm dhe sidomos me Bashkinë, mendoj se kemi bërë një hap të rëndësishëm”, nënvizoi Majko.