“Politikanët që e duan demokracinë janë pro dialogut”.
Deputeti i Bundestagut gjerman, Tobias Gottardt, në një konferencë për mediet, pas takimit me deputetë shqiptarë, përfaqësues të Komisionit të Jashtëm dhe atij të Integrimit, duke folur për situatën politike në vend tha se, “të gjithë politikanët që e duan demokracinë janë pro dialogut dhe përballimit të çdo situate që ndodh në realitetin politik me dhënien e argumenteve të anës që përfaqësojnë.
“Në Europë dhe Gjermani flitet për Shqipërinë dhe situatën këtu dhe reformat që janë ndërmarrë. Kam ardhur ta prek realitetin nga afër. Kam takuar studentë, anëtarë parlamenti apo dhe kryetarë të grupeve parlamentare. Kemi folur shumë për reformat e ndërmarra nga vendi juaj, si reforma në drejtësi dhe procesi që po ndërmerret për vettingun dhe mendoj se jeni në një rrugë shumë të mirë dhe Shqipëria ka përparuar me fazat e implementimit të reformës”, tha Gottardt.
“Si një europian i bindur në vlerat që BE transmeton dhe mishëron jam këtu për të mbështetur çdo hap që Shqipëria ndërmerr në procesin drejt anëtarësimit në BE dhe mendoj se situata është me fitore për të dy anët si për Shqipërinë edhe për BE”, u shpreh Gottard.
“Mesazhi i përbashkët që përpiqemi të transmetojmë është që të gjitha vështirësitë që paraqiten duhet t’u qasemi duke bashkëpunuar”, u shpreh ai.
Kodheli: Të gatshëm t’i zgjasim dorën opozitës për dialog
Ndërsa kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Mimi Kodheli tha se, vizita e deputetit të Bundestagut, Gottardt sjell mesazhe të qarta mbështetje për Shqipërinë dhe shqiptarët, për politikën në vendin tonë dhe rrugën e Shqipërisë drejt BE.
“Ne e garantuam kolegun gjerman për vazhdimin e reformave, sidomos asaj në drejtësi. E siguruam se ne do t’i rrimë fort besimit tonë se jemi duke bërë gjënë e duhur, reformat e duhura dhe tashmë rezultatet kanë ardhur”, u shpreh Kodheli.
“Shqipëria e mbështetur nga Gjermania dhe vendet europiane. Shqipëria e mbështetur dhe nga dialogu, të cilin kërkojnë të hapim sot me opozitën. Më vjen keq që kolegët opozitarë nuk kanë mundur të jenë në një takim si ky. Më vjen keq që veprimi i tyre ekstrem i pak ditëve më parë e vë në ngërç jetën tonë parlamentare. Megjithatë jemi të gatshëm t’i zgjasim dorën opozitës për t’i thënë po dialogut, pa ndërprerë hapat tona drejt reformës dhe integrimit”, tha Kodheli.
https://www.facebook.com/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/389616061822758/