Fier, bastet deri në ditën e fundit, ligji jep efekt edhe në Durrës

Tre ditë përpara përfundimit të afatit për mbylljen e lojrave të fatit, në Fier janë mbyllur shumë pika bastesh. Ndërkohë, ato pak pika të hapura, po i shfrytëzojnë ditët e mbetura të këtij viti.

Tre ditë përpara përfundimit të afatit për mbylljen e lojrave të fatit, në Fier janë mbyllur shumë pika bastesh. Ndërkohë, ato pak pika të hapura, po i shfrytëzojnë ditët e mbetura të këtij viti.

Banorët në Fier e kanë mirëpritur mbylljen e këtyre bizneseve. Ky është një vendim i mirë edhe për një qytetar që dikur i frekuentonte pikat e basteve: “Kanë bërë shumë mirë sepse lekët i linim në baste”.

Megjithatë, edhe në Fier disa pika që nuk janë mbyllur ende kanë hequr tabelat, por jo pajisjet, ndërsa ato që nuk punojnë duken qartë nga jashtë pasi kanë shënime që jepen me qira ose kanë filluar të kthehen në bar-kafe.

Shumë persona të varur nga lojrat e fatit nuk do të kenë më mundësi të vetëshkatërrohen nga ushtrimi i kumarit në pikat e shumta të llotove sportive dhe kazinove në qytete e fshatra.

Durrës po mbyllen me shpejtësi të gjitha ambientet ku më parë viheshin baste të ndryshme sportive, ndërsa kazinotë vijojnë të shfrytëzojnë edhe ditët e fundit të afatit ligjor, duke vijuar të ushtrojnë veprimtarinë e tyre.

Dyert e kazinove elektronike hapen e mbyllen me shpejtësi, por edhe në to numri i klientëve ka rënë, ndërsa lokalet e basteve sportive kane ulur qepenat. Kompanitë e basteve kanë hequr tabelat e reklamat e shumta të llotove që dikur i hasje ngado në qytet.

Varësia nga bixhozi dhe lojrat e fatit ka rrënuar ekonomikisht mjaft familje durrsake, duke u kthyer në një plagë ende të hapur sociale për shkak të pasojave të rënda që sjell kjo varësi. Edhe pse është ende e paqartë se si do të organizohet dhe menaxhohet nga vetë shteti, funksionimi i lojrave të fatit dhe basteve sportive prej 1 janarit 2019, qytetarët besojnë se largimi i pikave të basteve dhe kazinove nga qendrat e banuara do ta reduktojë bindshëm fenomenin./TCh