Arrestimi i pronarit të “Kristalit” dhe 16 mijë diplomat

Ngjitja dhe rënia e universitetit “Kristal” ndodhi brenda pak vitesh. Në dhjetor të 2005 qeveria Berisha e licencoi, universitetin në pronësi të Ahmet Muçaj për tre fakultete Administrim Biznesi, Drejtësi dhe Stomatologji, ndërsa me kalimin e viteve u hap dhe një fakultet artesh.

Politikat stimuluese të qeverisë së atëhershme për arsimin privat dhe rrjeti i mëparshëm me shkolla jo publike në nivele më të ulta që Zoti Muçaj zotëronte e ndihmoi që shumë shpejt të rritej në tregun e arsimit të lartë, madje duke u renditur si universiteti i tretë privat më i madh në rang vendi.

Me kalimin e viteve u hapën mbi 50 programe mësimore të ciklit Bachelor dhe Master.

Sipas bilancit të fundit të depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, që i përket vitit 2012 Universiteti “Kristal” vlente rreth 2 miliardë lekë, të ardhurat vjetore ishin mbi 500 milionë lekë, ndërsa bankat e kishin kredituar për 700 milionë lekë.

Në 8 vite që fuksionoi si institucion i arsimit të lartë, universiteti “Kristal” ka dhënë rreth 16 mijë diploma. Pagesa vjetore për një cikël studimi varionte nga 2 mijë deri në 3 mijë e 500 euro, për çdo student.

Fama për mënyrën se si u merrnin diplomat pranë këtij universiteti mbërriti deri në Itali. Skadali për marrjen e diplomës nga ana e djalit të ish liderit të Lega Nord Umberto Bossi, Renzo Bossi, zbuloi se si pa ardhur asnjëherë në Shqipëri dhe pa e njohur gjuhën shqipe ai u diplomua.

Në 2012 u bë pezullimi i parë i licencës për të hedhur dritë mbi këtë skandal, por më pas licenca u riaktivizua.

Në 2014 kur u mbyll me një vendim të qeverisë Rama pranë tij vazhdon studimet katër mijë studentë.

Pikërisht këtu filloi dhe rënia, studentët u shpërndanë në universitete të tjera, dhe “Kristal” përfundoi në dorë të bankave kreditore.

Zbardhen detaje të reja në lidhje me arrestimin e pronarit të ish-universitetit ‘Kristal’ Ahmet Muçës.

Prokuroria e Tiranë ka regjistruar procedimin penal ndaj Muçës në datën 22 janar 2018, lidhur me referimin e bere nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, për dyshime ne dhënien e diplomave te falsifikuara.

Në kuadër të këtij hetimi, Drejtoria Vendore e Policisë Tirane, ne bashkëpunim me Prokurorinë, kanë arrestuar në flagrancë Ahmet Muçaj, ish-administrator i Universitetit “Kristal”, për veprën penale “Korrupsioni pasiv ne sektorin privat”, parashikuar nga neni 164/b i Kodit Penal.

Ai është kapur në kushtet e flagrancës duke i dorëzuar një shtetaseje një diplome te nivelit “Bachelor”, dega “Drejtësi”, kundrejt marrjes së një vlere monetare.

Një diplomë e “Kristalit’ për 2500 euro, shiteshin edhe pas mbylljes së universitetit

“BalkanWeb” raporton se procedimi ndaj Muçës ka nisur që në muajin janar të këtij viti nga policia në bashkëpunim me Prokurorinë.

Sipas dosjes hetimore, mësohet se Muça shiste diploma për 2500 euro edhe pas mbylljes së Universitetit me datat dhe vulat e kohës kur ky institucion ishte i hapur.

Raportohet se është shpallur në kërkim edhe shtetasi E.P., i cili akuzohet se ndihmonte Muçën me procesin e diplomave. Mësohet se dhe pas mbylljes së Universitetit, Muça dhe bashkëpunëtori i tij shisnin diplomat e falsifikuara.

Biznesmeni Muça dhe më herët ka patur probleme me drejtësinë.

Në 2015-tën ai u shpall në kërkim për vjedhje energjisë elektrike në godinën e Universitetit.

Sipas policisë së Durrësit, e cila në atë kohë filloi procedimi penal në mungesë për shtetasin Ahmet Muçaj, rezultoi se nga kontrolli i ushtruar në Spitalin Universitar “Kristal” në Rinas, Krujë, u konstatua se ky objekt furnizohej me energji elektrike me linjë të dytë, në mënyrë të paligjshme.