Pas sezonit turistik, Lungomare në Vlorë do të zgjatet me 640 metra

Shëtitorja e re përgjatë bregdetit në Vlorë siç njihet tashmë nga të gjithë “Lungomare”, do të zgjatet nga fushat e sportit deri te tuneli në zonën e njohur si Uji i Ftohtë.

Shëtitorja e re përgjatë bregdetit në Vlorë siç njihet tashmë nga të gjithë “Lungomare”, do të zgjatet nga fushat e sportit deri te tuneli në zonën e njohur si Uji i Ftohtë.

Pas mbylljes së këtij sezoni turistik do të nisë puna për zgjatimin e Lungomares, njofton në një postim në rrjetin social “Facebook”, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, institucioni zbatues i këtij projekti të rëndësishën në infrastrukturën rrugore të vendit.

Sipas FZHSH-së, zgjatimi që do të ndërtohet është rreth 640 metër, me një gjerësi 7 metra dhe do të ruhen të njëjtat motive të shëtitores ekzistuese.

Investimi i ri do të kombinojë shtresat e betonit me zaje të bardha lumi, gjelbërim me pisha, ndriçim dhe mobilim urban, duke e plotësuar kështu tërësisht shëtitoren e Lungomares, atraksionin e ri bashkëkohor turistik të Jugut të vendit.

Zgjatimi i këtij projekti, që përbën dhe fazën e dytë të ndërtimit të shëtitores do t’i shtojë qytetit një tjetër hapësirë urbane buzë detit, raporton ATSH.

Gjithashtu do të krijohen hapësira të reja publike që do të bëjnë të mundur shkëputjen nga shëtitorja dhe argëtimin jashtë saj.

Një tjetër element interesant është edhe lidhja e shëtitores me detin nëpërmjet shkallareve që zbresin deri thellë në det. Projekti parashikon ruajtjen e shkëmbinjve ekzistues dhe integrimin e tyre me shkallët, si dhe mbrojtje detare.

Projekti i Lungomares është unik në llojin e vet, jo vetëm për përmasat dhe rëndësinë që ka në rigjallërimin urban të qytetit dhe impaktin në turizëm, por edhe për veshtirësinë e realizimit.